Dosja “5D”/ Apeli i GJKKO lë në burg ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, mbeten në qeli Molla, Qato dhe Tushe

Apeli i GJKKO ka rrëzuar ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, që ranë në pranga pas hetimeve për aferën korruptive “5D”.

Taulant Tushe, Redi Molla dhe Mariglen Qato do të vijojnë të qëndrojnë në qeli, pasi gjykata nuk ka pranuar ankimin e ish-drejtorëve, të cilët duan të dalin nga qelia edhe pse akuzohen për korrupsion. Po ashtu gjykata ka vendosur masën e sigurisë detyrim paraqitje për shtetasit Eglantina Zere dhe Julian Zanaj.

Ndërkohë ata kanë të drejtë të ushtrojnë rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve.

Rikujtojmë se pas arrestimeve, ka patur edhe disa protesta para bashkisë, ku qytetarët kërkojnë largimin e kryebashkiakiut Erion Veliaj. Protestat e fundit janë përshkallëzuar ku është hedhur molotov në drejtim të godinës së bashkisë.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 05.05.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 18 akti, datë 29.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim R.M., M.Q., T.T., J.Z. dhe E.Z., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 28, datë 28.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 35, datë 30.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 28, datë 28.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.

Miratimin e vendimit nr. 35, datë 30.03.2024 të të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket disponimeve kundrejt apeluesve z. J.Z., z. T.T., znj. E.Z., z. M.Q. dhe z. R.M.

Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar”- thuhet në vendimin e gjykatës.