DOSIER/“Shtypi i folur” dhe rrjetet sociale si rivalë të medias në dy kohë

“Në një vend me 1.2 milionë banorë, gazetat periodike nuk mund të pretendojnë të shiten në masë, sepse ky vend ka ruajtur disa tipare orientale, ku gazetat e botuara kanë përballë tyre një konkurent të fortë, “shtypin e folur”, i cili praktikohet në kafene dhe pazare. Gjithsesi, mund të konstatojmë, se gazetat arrijnë shpejt deri në fshatrat më të izoluar dhe shohim shpesh, këto kohët e fundit, fshatarë të rinj, të cilët kishin sjellur prodhimet e tyre në treg dhe marrin gjatë rrugës së kthimit për në malet e tyre gazetat e gjithë javës”, do të shkruante studiuesi francez, André Ravry. 

Ai kishte udhëtuar në Shqipëri në vitin 1939 për të hulumtuar historinë e shtypit shqiptar prej fillimeve e deri atë vit. Në “Revistën e Shkencave të Shtypit të Parisit”, ai tregoi detaje të funksionimit të shtypit në Shqipëri. Sipas Ravry, shtypi i shkruar rivalizohej nga një tjetër medium, që ai e cilësonte si “shtypi i folur”. 

Bëhej fjalë për bisedat e banorëve nëpër qendrat publike: kafene, pazare, apo organizime të ndryshme shoqërore. Studiuesi francez kishte vënë re se, megjithëse shumë shqiptarë preferonin të informoheshin nga bisedat mes tyre, gazetat mbërrinin deri në fshatrat më të thella malore dhe kjo tregonte një rritje të interesit të shqiptarëve për median, pavarësisht analfabetizmit apo varfërisë.

Në vitet ‘30 Shqipëria kishte një popullsi rreth 1,2 milion banorë dhe numri i gazetave në raport me popullsinë ishte i konsiderueshëm. Gjatë viteve 1924-1928 botoheshin rreth 60 gazeta e revista, ndonëse shumica e tyre ishin buletine të institucioneve qeveritare.

Sot pas rreth 100 vitesh, në Shqipëri, sipas AMA-s (Autoriteti i Medias Audiovizive), numërohen 44 transmetues audiovizivë, 55 transmetues audio, 2 radio kombëtare, 3 operatorë audio me shërbim riprodhimi, 50 audio lokale dhe 4 subjekte audio të komunitetit. Numërohen gjithashtu 64 kabllorë, 936 portale dhe media online, 17 OTT(përmbajtje mediatike që përcillet vetëm përmes internetit) si dhe 2 platforma Digjitale.

Nëse një shekull më parë, median e rivalizonte “shtypi i folur”, sot media e shkruar dhe audiovizive rivalizohet nga rrjetete sociale.

Një shekull më parë, Shqipëria me 1.2 milion banorë kishte atë numër të konsiderueshëm mediash duke marrë parasysh edhe faktin se shifrat e analfabetizmit ishin shumë të larta. Padyshim, jo të gjitha organet e medias ishin në standardet e duhura, përsa i përket cilësisë së përmbajtjes, informacionit dhe raportimeve të gazetarëve, por shumë prej atyre ku shkruanin intelektualët e kohës duke bërë hapa të rëndësishëm përpara.

Disa statistika rreth të dhënave që janë mbledhur për shtypin e atyre viteve na tregojnë për një farë zhvillimi të arsimit përmes rritjes së numrit të shkollave nga viti në vit.

“Shohim e dihet se interesat shkollore ndryshojnë prej gegnisë në toskni. Kemi vue re se prej Shkumbinit e teposhte, janë të çiluna 378 shkolla shqipe dhe prej Shkumbinit e përpjete janë të çiluna 124 shkolla; pra 254 shkolla fillore ma tepër janë në Toskni”.

Në artikullin e gazetës “Ora e Maleve” raportohet, se shkollat po hapen jo vetëm nëpër qytete, por edhe në fshatra më të thella malore. Në një prej zonave më të thella të Shqipërisë, në Nikaj Mërtur, në fshatin Gjonpepaj të kësaj krahine, u hap shkolla e parë shqipe në vitin 1918.

Tashmë edhe fshatrat më të largët, kishin disa banorë që dinin shkrim e këndim dhe gazetat e revistat filluan tëmbërrinin në të gjithë vendin. Gjetjet e studimit francez kanë një rëndësi të veçantë, për shkak se është ndër të paktat studime që janë shkruar në atë kohë për historinë e medias shqiptare. Përveç kësaj studimi i André Ravry meriton vlerësime të larta, sepse vjen si njëprodukt i hulumtimit në terren.

Kjo periudhë e historisë së medias, pas shpalljes së pavarësisë, është ndër më produktivet në krahasim me periudhat e mëparshme. Me shtimin e gazetave dhe revistave të reja çdo vit, me rritjen e cilësisë dhe zgjerimin e konsiderueshëm të numrit të hapësirës informative, me shtimin e autorëve, media shqiptare kishte krijuar identitetin e vet. 

Kjo periudhë bën dallim krahasuar me stilin e mëparshëm të organizimit të faqeve të gazetave, sepse nis të zgjerohet hapësira për informacion. Ky është një stad i ri i organizimit të medias, ku merr formë strukturimi nëpërmjet rubrikave informative. Deri atëherë, artikujt kishin më shumë frymë analize, patriotike e letrare. Nuk oishte kohë shumë e gjatë sepse gazeta e parë e shkruar në gjuhën shqipe ishte botuar në vitin 1883 dhe titullohej “Flamuri i Arbërit” botuar nga Jeronim de Rada.

Është e natyrshme që të ndodhin ndryshime të mëdha në historinë e medias në 100 vjet. Kjo e Shqipërisë është unike edhe për faktin se në një shekull ka një shkëputje të zhvillimit prej 50 vitesh, koha kur media drejtohej nga regjimi komunist dhe nuk bëhej fjalë për media të lirë. Pas rënies së regjimit komunist, pati një zhvillim të shpejtë të medias të paktën përsa i përket numrit të titujve të tyre që zunë vënd në treg.  

E përbashkëta e dy kohëve, vitet ’30 me median e këtyre 30 viteve, është situata kaotike në mjedisin mediatik, ku kishte mjaft tituj gazetash e revistash në vitet 30 në raport me numrin e popullsisë dhe sot një numër shumë i lartë medias audiovizuale, online dhe media e shkruar, në raport me numrin e popullsisë. Por në asnjë kohë, nuk mund të flasim për liri mediash të krahasueshme me standartet e vendeve perendimore.

Luljeta Progni