Gjykata Kushtetuese duket se i ka dhënë një mësim të vlefshëm kryeministrit Edi Rama, pas vendimit për rikthimin në detyrë të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Në një intervistë për “Real Story”, Rama deklaroi se nuk do të tentojë sërish për të shkarkuar Veliajn, pasi kjo është si të shkosh t’i biesh murit me kokë dhe të hysh në konflikt me sistemin e drejtësisë.
Kujtojmë se Rama detyroi Këshillin Bashkiak të shkarkonte Veliajn, ndërsa më pas edhe Presidentin Begaj për të nxjerrë dekretin për zgjedhjet e Tiranës, por të dy u ndaluan nga gjykata Kushtetuese, që e cilësoi të paligjshëm shkarkimin e kryebashkiakut.
Tashmë Ogerta Manastirliu do të duhet të presë zgjedhjet e vitit 2027 për të qenë kandidate e Partisë Socialiste.
Pjesë nga intervista:
Sokol Balla: Pyetja ime është shumë e thjeshtë do të tentoni sërish ta shkarkoni z.Veliaj nga kryetari i Bashkisë?
Edi Rama: Po nuk do shkojmë t’i biem murit me kokë. Se të shkosh kundër një vendimi që ka marrë Gjykata Kushtetuese apo cila do gjykatë është të shkosh t’i biesh murit me kokë edhe praktikisht të hysh në konflikt me sistemin që ke zgjedhur që është sistemi demokratik dhe unë nuk mund të hy në konflikt me zgjedhjen strategjike dhe historike që kam bërë dhe kemi bërë si PS që I kemi dhënë pavarësinë e plotë drejtësisë.
Sokol Balla: Pra Erion Veliaj do të qëndrojë kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Edi Rama: Po nëse nuk ka mundësi për t’u shkarkuar si do ndodhë..
Sokol Balla: Po nëse nuk e thatë ju kush do e thotë tjetër
Edi Rama: Po e ka thënë Gjykata Kushtetuese pra.
Sokol Balla: Që Erion Veliaj qëndron kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Edi Rama: Ai nuk mund të shkarkohet. Kaq, është shumë e thjeshtë.
Sokol Balla: Pra, do vijojë të qëndrojë kryetar i Bashkisë deri në 2027?
Edi Rama: Po ç’do bëjmë?