“Dorëheqja” që nuk u shkrua nga Ermal Dredha! Përplasjet e ish-kryebashkiakut të Vlorës me Edi Ramën

Ermal Dredha njoftoi ditën e djeshme se nuk do të jetë më kryetar i Bashkisë së Vlorës, pas më shumë se dy vitesh që kur kishte marrë detyrën që ia besuan qytetarët vlonjatë.

Edhe pse duket si një vendim i papritur, largimi i tij ishte i paralajmëruar, për shkak të përplasjeve të vazhdueshme me kryeministrin Edi Rama, me këtë të fundit që nuk ia kursente kritikat edhe publikisht, duke shprehur hapur pakënaqësinë për punën e Dredhës në Vlorë.

Nga promovimi në dorëheqje

Ermal Dredha, ish-kryetar i Bashkisë së Vlorës, nisi mandatin e tij me mbështetjen e fortë të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste. I promovuar si një figurë energjike dhe moderne, Dredha shihej si pasardhësi që do të sillte një frymë të re pas largimit të “tradhtarit” Dritan Leli.

Por me kalimin e kohës, marrëdhënia mes tij dhe kryeministrit u përkeqësua në mënyrë të dukshme, duke kulmuar me dorëheqjen e tij një ditë më parë.

Në Tetor të vitit 2024, do të vinte edhe përplasja e parë e Dredhës me kreun e qeverisë. Pas reshjeve të mëdha që shkaktuan përmbytje në qytetin e Vlorës, Edi Rama kritikoi publikisht strukturat vendore për mungesën e reagimit të duhur.

Por kritikave të tij iu përgjigj menjëherë Ermal Dredha, që tha se reagimi kishte qenë në kohë dhe se përmbytjet ishin për shkak të kushteve ekstreme. Ky reagim duket se shënoi edhe përplasjen e parë serioze mes tyre.

Në 34 vjetorin e Partisë Socialiste, më 19 Qershor 2025, Edi Rama mbajti një fjalim të ashpër ku kritikoi disa drejtues lokalë, mes tyre edhe Ermal Dredhën. Ai përmendi problematika si mungesa e ujit të pijshëm, menaxhimi i mbetjeve dhe zaptimi i hapësirave publike.

Në qendër të vëmendjes ishte debati i tij me tone të larta me Ermal Dredhën, mes qindra të pranishmëve.

Në 3 Korrik të këtij viti, pasi kishte siguruar mandatin e katërt qeverisës, Rama zbriti në Vlorë për një takim urgjent në Bashki, ku shkoi në zyrën e Dredhës për një mbledhje me dyer të mbyllura me stafin e bashkisë dhe deputetët e qarkut. Burime pranë takimit raportuan se kritikat ndaj Dredhës ishin të ashpra dhe se Rama kishte humbur besimin te drejtimi i bashkisë.

Kreu i qeverisë urdhëroi shkarkimin e të gjithë drejtorëve në Bashkinë e Vlorës, urdhër që më pas u dha edhe për të gjitha bashkitë e tjera.

Burime për mediat treguan se në atë takim, Edi Rama e krahasoi Ermal Dredhën edhe me ish-kryebashkiakun Dritan Leli, me të cilin pati gjithashtu një përplasje të ngjashme derisa nuk e përfilli fare dhe e përjashtoi nga partia dy vitet e fundit të mandatit të tij. “Ti zotëri je Dritan Leli 2.0, e di apo jo?!”, iu drejtua Rama-Dredhës një moment.

Dorëheqja e Ermal Dredhës nuk ishte e rastësishme, pasi gjatë ditës së djeshme në Vlorë kishte shkuar Bledi Çuçi, drejtuesi socialistë për qarkun, i cili sipas Lapsi.al, kishte detyruar Dredhën të emëronte edhe nënkryetarin e ri, Elis Halili, që pritet të marrë edhe drejtimin e bashkisë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.

Sot, Ermal Dredha reagoi në rrjetet sociale për largimin e tij, duke falënderuar qytetarët e Vlorë, por më shumë kryeministrin Edi Rama, i cili ishte edhe arsyeja kryesore e largimit të tij.

Në një postim thuajse të njëjtë me të gjithë “të dorëhequrit” e tjerë, që dukej sikur është shkruar në zyrën e Ramës, Ermal Dredha mori përgjegjësitë mbi vete, duke u shprehur se është i vetëdijshëm që Vlora ka nevojë për një drejtues tjetër më të mirë se ai.

Reagimi i Ermal Dredhës:

Të nderuar qytetarë të Vlorës,

Me mirënjohje dhe përulësi, për gjithçka ndamë bashkë përgjatë këtij rrugëtimi, bashkë me falenderimet e pafundme për çdo mbështetje, po ndaj me ju letrën time të dorëheqjes!

Shpresoj në mirëkuptimin tuaj, me bindjen që Vlora ka plotë mundësi për kontribute të vyera! Si djalë i këtij qyteti kaq të dashur, do të shërbej në çdo formë, njësoj siç kam bërë çdo ditë të karrierës sime diplomatike sepse e vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është që Vlora do të jetë gjithnjë e para në zemrën time! 🙏

I nderuar z. Kryeministër,

Sot, me përgjegjësinë më të lartë morale dhe institucionale, kam vendosur të paraqes dorëheqjen time nga detyra si Kryetar i Bashkisë së Vlorës.

Ky është një nga ato momente ku fjala nuk del lehtë, jo sepse mungon bindja, por sepse pesha e asaj që dua të them është e madhe dhe shumë e ndjeshme për mua si njeri, si shërbyes publik dhe si bir i këtij komuniteti që e dua me gjithë zemër.

Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që janë shfaqur gjatë rrugës, kam besuar gjithmonë se transparenca dhe puna e ndershme janë baza mbi të cilat ndërtohet një shërbim i mirëfilltë ndaj komunitetit.

Kam jetuar çdo ditë të këtij detyrimi me përkushtim të plotë dhe zell. Kam bërë më të mirën që kam ditur e mundur, ndoshta jo gjithmonë mjaftueshëm, por gjithmonë me ndershmëri. Kam qenë pranë njerëzve në ditë të mira dhe në ditë të vështira, dhe i kam ndjerë hallet dhe shpresat e tyre si të ishin familja ime.

Megjithatë, besoj se në një moment të caktuar është e rëndësishme të dish të largohesh me dinjitet, për t’i hapur rrugë energjive dhe ideve të reja.

Dorëheqja ime vjen si një akt reflektimi dhe përgjegjësie. Rrethanat aktuale, familjare dhe personale, apo dhe ato politike e administrative, më shtyjnë të besoj se dorëheqja ime është veprimi mëi drejtë në këtë moment. Ky vendim nuk nënkupton largim nga përgjegjësia publike, por është një akt i vetëdijshëm për të krijuar hapësirë për ide dhe ritme të reja zhvillimi për bashkinë tonë.

Z. Kryeministër,

Ju falënderoj për bashkëpunimin institucional! Ky vendim nuk ndryshon as respektin dhe as përgjegjësinë që ndjej ndaj vendit tim dhe ndaj qytetarëve tanë.

Ju falënderoj për çdo mbështetje që më keni dhënë dhe për çdo shpresë që kemi ndarë së bashku. Unë mbetem i përkushtuar ndaj komunitetit tim dhe do të vazhdoj të kontribuoj në forma të tjera për të mirën e përbashkët.

Me respekt të thellë,

Ermal Dredha