Do zëvendësojë Berishën në krye të PD-së? Argita Malltezi: Jeta merret ashtu siç të vjen

Pas arrestimit të Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit, është parë një angazhim më i madh i Argita Malltezit, që shpeshherë ka drejtuar edhe protestat e opozitës për lirimin e babait të saj.

Daljet e shpeshta në media, por edhe fjalimi në Kuvendin e Partisë Demokratike, kanë hedhur dyshime se ajo po projektohet për të qenë kryetarja e ardhshme e Partisë Demokratike, duke zëvendësuar babanë e saj, Sali Berishën.

E ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews Albania, ajo u pyet nëse ka ambicie për të qenë në krye të PD-së. Edhe pse nuk e pohoi, Argita Malltezi la një derë të hapur për atë që mund të vijë në të ardhmen, për të qenë në krye të PD-së.

Pjesë nga diskutimi:

Pyetje: A keni ambicie për të qenë ju lidere e PD?

Malltezi: Unë shpresoj që të kem përçuar vërtetësinë në atë që kam thënë. E kam provuar edhe me qëndrimin tim që nga 2013 e këtej që nuk kam ambicie për të marrë një pozicion të tillë. Kjo nuk ka ndryshuar. Nuk kam ambicie për të marrë një pozicion të tillë. Jam shumë e kënaqur me profesionin dhe punën që bëj, por jeta merret ashtu siç të vjen. Dhe këto rrethana më kanë sjellë të merrem me çështje të tilla, publikisht dhe privatisht. Unë i përgjigjem atyre nevojave që ka çështja për momentin. Aktualisht jam e angazhuar dhe vij edhe në këtë studio për shkak të kësaj çështjeje. Nuk kam ambicie politike, por kam qenë gjithnjë kontributore dhe aktiviste e PD. Gjithmonë do të jem. Nëse është e nevojshme të rris angazhimin tim në politikë do ta bëj. Jeta merret ashtu siç të vjen.