Do vriste të “fortin” e Vlorës, por u kap në flagrancë/ SPAK kopsit dosjen dhe çon për gjykim Amarildo Nikollin

Prokuroria e Posaçme Kundër Korupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar dosjen për gjykim në ngarkim të Amarildo Nikolli.

Ky i fundit akuzohet se në bashkëpunim me 3 të tjerë kishin planifikuar vrasjen e Ervis Matodashaj dhe të Inez Hajrulla, i cilësuar si i “forti’ i Vlorës.

Hetimet si dhe dëshmitë e marra nga Amarildo Nikolli, provuan se krimi do të kryhej për hakmarrje si dhe për marrjen në kontroll të bizneseve të lojërave të fatit.

Sipas SPAK, porositësi i atentatit është Leonard Gjuzi, i cili u kap në Spanjë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në nëntor të këtij viti.

SPAK ka zbërthyer dhe rolet, të cilat kishin caktuar këto persona për të realizuar synimin e tyre.

Konkretisht, rezulton se Luzi ka krijuar një grup të strukturuar kriminal, ku Amarildo Nikolli do ishte “qitësi” dhe të pandehurit Muharem Koroveshi dhe Erio Zejno do kishin rol ndihmës.

Sakaq, dy të fundit kanë dërguar armët në banesën e Amarildo Nikolli në Vlorë, e kanë ndihmuar në terren për lokalizimin e Ervis Matodashajt dhe Inez Hajrullës, si dhe do të ndihmonin autorin, në largimin nga vendi i ngjarjes, nëse vrasja do të realizohej

Por atentati ndaj Ervis Matodashaj dhe Inez Hajrullës dështoi falë reagimit në kohë të policisë Vlorë.

Policia në gusht të 2023 në lagjen “Uji Ftohtë” ushtroi kontrolle dhe Amarildo Nikollit iu gjetën: një pistoletë e markës Pietro Beretta, me një silenciator, me karikator të mbushur me 14 fishekë, si dhe një fishek i futur në folenë e qitjes.

Po ashtu, hetimet kanë certifikuar se në atë moment Amarildo Nikolli kishte dalë pikërisht për të finalizuar porosinë e Leonard Luzit, që ishte ekzekutimi i Ervis Matodashaj dhe të Inez Hajrulla. Pas prangosjes, Amarildo Nikolli vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë duke marrë statusin e të penduarit.