Elton Qyno
Përfshirja nga zjarri i një pallati në afërsi të Drejtorisë së Përgjithshme të Transporteve, ka sjellë nisjen e një procedimi penal në prokurorinë e Tiranës, për akuzën e “Shkatërimit të pronës me zjarr”.
Për këtë vepër penale ka referuar material hetimor në prokurorinë e kryeqytetit edhe policia e Tiranës, e cila tashmë është ngarkuar për mbledhjen e të gjithë dokumentacionit që ka shërbyer për kolaudimin e punimeve të pallatit të djegur.
Paraprakisht dyshohet se shkak i rënies së zjarrit në një apartament në katin e fundit të pallatit, është bërë një shkëndije elektrike tek lidhja e kondicionerit me rrjetin elektrik.
Dokumentat tregojnë se inxhinieri që ka kolauduar punimet elektrike në pallatin e përfshirë nga zjarri, quhet Niko Zjarri.
Inxhinieri Zjarri dhe pronari i pallatit Tanush Mëhillaj, janë dy njerëzit e parë që pritet të thiren në prokurorinë e Tiranës, për tu marë në pyetje.
Mëhillaj, është një ndërtues jo pak i njohur për policinë kriminale të Tiranës dhe Vlorës, pasi emri i tij doli në rëfimet e vrasësit me pagesë, Julian Sinanaj.
Sipas dokumentacionit, Niko Zjarri, ka kryer kolaudimin e punimeve elektrike të kryera nga kompania e ndërtimit “ED-Konstruksion” me ortakë, Jorgjie, Ramadan dhe Eduard Ibrahimi.
Pritet që pas mbledhjes së gjithë dokumentacionit Zjarri të japi shpjegimet para prokurorëve, për mënyrën e shtrirjes së kabujve elektrikë në të gjitha katet dhe njësitë e apartamenteve.
E pas tij në ambjentet e prokurorisë të paraqitet biznesmeni nga Vlora, Tanush Mëhillaj për të dhënë shpjegime.
Prokuroria tashmë ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize të qartë, nga ku kërkohet një konkluzion përfundimtar mbi shkaqet që sollën rrënien e zjarrit.
Nga ana tjetër është ngarkuar dhe policia kriminale për të verifikuar kamerat e zonës dhe pallatit, me qëllim identifikimin dhe zbulimin e çdo personi të mundshëm që është future brenda në pallat dhe mund të ketë provokuar një zjarrvënie të qëllimshme.
Përfshirja e Mëhillaj në grupin e Erjon Mëhillaj, ka ngjallur dyshime të forta se ngjarja e zjarrit në pallat mund të jetë e qëllimshme.
Si pasojë e flakëve që përfshinë pallatin, u shkrumbuan 4 apartamente dhe u dëmtuar rëndë 12 të tjerë.