Djali porositi vrasjen e gruas, flet babai i Murselit: Ta dija që e kishte bërë djali im, ai s’do ishte sot gjallë

Shaban Murseli, babai i Naim Murselit, i cili akuzohet se porositi vrasjen e gruas së tij, ka folur për mediat në Shqipëri dhe Kosovë. Ai është shprehur i tronditur për vrasjen e Liridonës, nga djali i tij.

Ai ka bërë një deklaratë të fortë për median kosovare, duke u shprehur se, nëse do ta kishte ditur që në fillim, se vrasjen e Liridonës e kishte porositur i biri, do të ishte marr vetë me të dhe ai s’do ishte sot gjallë.

“Ta dija unë që e kishte bërë djali im, isha marr vetë me djalin tim atë ditë, ai s’do ishte sot gjallë.” – u shpreh babai i Naim Murselit.

Ai deklaroi se në këtë histori mban anën e familjes Ademaj të Liridonës. Ndër të tjera, u shpreh se ende nuk e ka një arsye se pse djali i tij mund të ketë porositur vrasjen e bashkëshortes, por e ka përjashtuar versionin e siguracionit që Liridona ka pasur në Suedi, pasi sipas tij, vlera maksimale e sigurimit është 300 mijë euro.