Dita e pestë e protestave për Zvërnecin, mijëra qytetarë bashkohen për një qëllim: Nuk ka dialog, vetëm dorëheqje!

Tirana proteston për të pestën ditë më radhë kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec.

Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, teksa në duar mbajnë pankarta të ndryshme si: “Rama në burg, Berisha në burg”; “Tradhëtari plumbin e ka hak”, “Shqipëri e shqiptareve, vdekje tradhëtarëve” etj.

Ndërkohë slogani i protestës së sotme është: “Zëri ynë, dinjiteti ynë, e ardhmja jonë”.

Edhe këtë të enjte ka një pjesëmarrje masive, teksa në Tiranë kanë mbërritur edhe qytetarë të shumtë nga diaspora.

Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit të ndërtimit në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar atë si ndërhyrje në një zonë të mbrojtur dhe duke akuzuar qeverinë për favorizim të interesave private në dëm të pronës publike.

Kujtojmë se Rama ka theksuar se projekti është në fazë studimi dhe se po punohet nga studio ndërkombëtare arkitekture, ndërsa kundërshton pretendimet që, sipas tij, po qarkullojnë pa bazë faktike.