Diaspora do të votojë në 2025! PS dhe PD afër marrëveshjes, emigrantët mund të vendosin qeverisjen e ardhshme

Emigrantët janë shumë afër arritjes së qëllimit, të votojnë në zgjedhjet parlamentare në vitin 2025. Kjo ka qenë ajo që është kuptuar nga fjalët e kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashi, në një takim me Diasporën Shqiptare.

Celibashi u shpreh se mospërputhjet kryesore janë tejlkaluar, ndaj duket se vota e diasporës do mundësohet në zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, propozimi i tij që zgjedhësit nga jashtë të regjistrohen nga KQZ ka marrë mbështetjen e të dyja palëve.

Nëse pranohet ky propozim, PS heq dorë nga kërkesa për regjistrim paraprak të vendbanimit të emigrantëve përmes E-Albania. Kështu, zgjidhet një nga mospërputhjet kryesore mes palëve.

Ai deklaroi se ende nuk është zgjedhur modaliteti i votimit, por KQZ ka propozuar votimin elektronik, që do të mundësohej nga kompania “Smartmatic”, kompani që operon në disa vende të botës. Në Europë përdoret nga Italia, Gjermania, Anglia, Belgjika, Norvegjia, Estonia, Bullgaria. Kjo është edhe kompania që është përdorur për votimin elektronik në Shqipëri.

Për sa i përket llogaritjes së votës së emigrantëve, ajo do të numërohet në vendbanimin e fundit të votuesit. Pra, nëse vendbanimi i fundit i qytetarit përpara se të largohej ka qenë në Tiranë, ai do të votojë për kandidatët e qarkut të Tiranës.

Vota e emigrantëve pritet të jetë faktor në zgjedhjet e ardhshme, pasi rreth 40% e votuesve janë në Diasporë. Nga 1.7 milion shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, rreth 1.1 milion janë votues, çfarë do të thotë se kjo votë mund të jetë përcaktuese për qeverinë e ardhshme.

Problemi i vetëm qëndron te Parlamenti, i cili duhet të plotësojë kuadrin kuadrin ligjor brenda kësaj legjislature, pra në fund të korrikut, ose në të kundërt diaspora nuk mund të votojë në zgjedhjet e ardhshme.