Një ngjarje e rëndë ka ndodhur katër ditë më parë në Lushnje, ku 43 vjeçari Fabjol Hysa, me aftësi të kufizuara u dhunua brutalisht nga dy të rinjtë, Enea Korreshi dhe Irdi Nasufi. Këta të fundit, të arrestuar nga uniformat blu kanë pranuar para policisë ngjarjen dhe sipas pretendimeve të tyre, ata kanë bërë shaka me 43 vjeçarin dhe më pas ai i ka ofenduar.
Pas ofendimeve ata e kanë dhunuar Fabjol Hysën, i cili ka pësuar fraktura në kafkë dhe hemorragji në tru, ndërsa aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë në luftë për jetën.
Policia e Fierit ka reaguar për ngjarjen, duke mohuar se e ka fshehur. Sipas uniformave blu, sapo kanë marrë merr vesh për dhunimin e 43 vjeçari, kanë bërë të mundur edhe arrestimin e dy autorëve. Gjithashtu ngjarja thotë policia, është përcjellë edhe përmes një informcaioni zyrtare më datë 21 mars.
Njoftimi i policisë:
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 20.03.2025, në qytetin e Lushnjës ku një 43-vjeçar është goditur me gur nga 2 shtetas, dhe pretendohet se policia ka fshehur ngjarjen, ju bëjmë me dije se:
Policia e Lushnjës në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në DVP Fier, ka kryer të gjitha veprimet procedurale hetimore, ka reaguar dhe ndjekur në kohë ngjarjen dhe në asnjë moment nuk ka tentuar të favorizojë autorët apo të fshehë lajmin, por ka kryer të gjitha procedurat konform ligjit dhe e ka bërë ngjarjen publike në njoftimin e dhënë për shtyp dhe konkretisht:
Me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur, shërbimet e Policisë menjëherë kanë reaguar duke bërë arrestimin në flagrancë të autorëve të dyshuar, shtetasve I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç.
Pas veprimeve të kryera, Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka dhënë njoftimin për shtyp më datë 21.03.2025 në përmbledhjen ditore, konkretisht, njoftimi për këtë lajm është dhënë si më poshtë: “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit arrestuan në flagrancë shtetasit I. N., 20 vjeç dhe E. K., 23 vjeç, të dy banues në Lushnjë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me gurë, një 43-vjeçar, i cili aktualisht është në kujdesin e mjekëve”.