Durim Toska, ish-drejtori i burgut të Fushë-Krujës dhe më herët burgut të Drenovës është lënë në burg nga gjykata.
Ai mori sërish masën e sigurisë “arrest me burg” pasi pak ditë më parë dhunoi bashkëshorten e tij, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjet edhe edhe armë zjarri me municion të cilën 52 vjecari e posedonte pa leje. Por para vendimit të gjykatës gruaja e tij ka tërhequr padinë për dhunë. Avokati i Toskës ka deklaruar se nuk ka patur dhunë por thjesht një debat në familje, ndërsa për armën ka deklaruar se nuk kishte dijeni.
Durim Toska u arrestua mbrëmjen e 2 dhjetorit në Pogradec.
Pas arrestimit, ministria e Drejtësisë informoi për shkarkimin e Toskës nga posti i Drejtorit të Institucionit të Ekzekutimit të Veprave Penale në Fushë-Krujë.
Sipas një njoftimi nga Ministria e Drejtësisë, Toska është shkarkuar nga ministri i Ulsi Manja, me propozim të drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, për cënimin e kritereve etike e ligjore.
“Ministri i Drejtësisë, z. Ulsi Manja, ka ndërmarë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cënuara nga z. Durim Toska. Vendimi vjen në përshtatje me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë”, njofton Ministria e Drejtesise.