Dhuna në Shqipëri, plaga që nuk njeh gjini

Autore: Dallandyshe Xhaferri

Nga dhuna në ambientet familjare deri te fenomeni i bullizmit në rrjetet sociale, Policia e Shtetit ka regjistruar shifra alarmante.

Ndër vite, urdhrat e mbrojtjes kanë shënuar një trend të ndryshueshëm, me një rritje në vitin 2021, gjatë periudhës së pandemisë, për të përfunduar me një zbritje në vitet 2022-2023. Meshkujt shfaqen si viktima të dhunës në numra të konsiderueshëm, 1994 rasteve nga janari 2021 deri në dhjetor 2023.Shifrat tregojnë një përqëndrim të dhunës fizike dhe psikologjike në të gjitha grupmoshat e shoqërisë.

Dhuna fizike dhe psikologjike është prezente në jetën e e çdo grupmoshe në Shqipëri, duke nisur që nga grupmoshat e mitura dhe deri tek dhuna ndaj të rriturve në ambientet familjare ose jashtë dyerve të shtëpisë.

Dhuna mbetet një plagë e hapur e shoqërisë. Urdhërat e mbrojtjes të lëshuara nga Policia e Shtetit ndër vite dhe rastet e referuara për ndihmë nga të dhunuarit dhe dhunuesit në organizatat jofimprurëse të vendit nuk lënë shumë vend për komente.

Në harkun e pothuaj tri viteve (1 Janar 2021- 31 Tetor 2023) numri i meshkujve viktima të dhunës, të cilët i janë drejtuar për indihmë institucioneve shtetërore është 1994.

Gjatë vitit pandemik 2021, sipas të dhënave zyrtare që Policia e Shtetit ka vendosur në dispozicion të “Sinjalizo”, janë dhënë 3221 urdhra mbrojtjeje në të gjithë vendin, 790 prej të cilave janë kërkuar nga meshkuj dhe 135 u janë dhënë të miturve. Numri total i udhrave të mbrojtjes gjatë vitit 2022 dhe 2023 ka shënuar ulje, 2935 raste në të gjithë vendin. Nga këto 730 raste janë meshkuj, ndërkohë që 26 prej tyre kanë kërkuar ndihmë nga institucionet vendore si viktima të krimit seksual.

Gjatë periudhës 1 Janar-31 Tetor 2023 gjithsej janë lëshuar 1849 urdhra për mbrojtje nga dhunuesi, prej të cilave 474 të dhunuar fizikish numërohen meshkuj, ndërkohë që 10 prej tyre kanë qenë viktima të abuzimeve sekuale.

DJEMTË KËRKOJNË NDIHMË MË SHUMË SE VAJZAT
Ndonëse nga të dhënat zyrtare rezulton se numri i djemve dhe burrave që i drejtohen për ndihmë institucioneve shtetërore është mjaft i ulët në krahasim me atë të vajzave dhe grave, rezulton që pranë organizatave jofitimprurëse numri i meshkujve të mitur që kërkojnë ndihmë është më i lartë se ai i vajzave dhe grave.

Belioza Coku, drejtoreshë ekzekutive e “ALO 116”, linjë kombëtare e këshillimit të fëmijëve, thotë për “Sinjalizo” se gjatë harkut kohor 2009-2023 djemtë përbëjnë numrin më të lartë të telefonatave që kërkojnë ndihmë pranë kësaj organizate. Konkretisht, djemtë përbëjnë 57.3% të telefonatave ku kanë raportuar dhunë, bullizim, kërcënime në rrjetet sociale, ndërsa 21% e vajzave të mitura i janë drejtuar linjës së këshillimit kombëtar.

Sipas të dhënave të vendosura në dispozicion të “Sinjalizo” nga “ALO 116” janë 739 djemë që kanë referuar te linja e këshillimit problematikat me abuzimin dhe dhunën në shkolla. Për sigurinë në internet numërohen 580 raste të raportuar ndërkohë që për diskriminimin janë bërë rreth 30 raportime nga meshkuj dhe 27 të tilla nga vajzat.

Shifrat më të larta të raportuara pranë linjës së këshillimit kanë të bëjnë me varësinë nga bixhozi, varësinë nga lëndët narkotike dhe nga duhani (1251 raste). Në tërësi numri i telefonatave të raportuara pranë “ALO 116” janë realizuar nga telefonues nga qytetet e mëdha të vendit.

“Përgjatë 6 viteve të fundit (2018-2023), qarku i Tiranës ka mbi trefish (8471) më tepër telefonata sesa qarku i Durrësit dhe Fierit që renditen në vendin e dytë dhe të tretë për nga numri i lartë i telefonatave me 2728 dhe 2642 të tilla”,- thotë Coku.

Sipas saj, raportimet e marra kryesisht nga qytetet e mëdha lidhet ngushtë me informimin e fëmijëve rreth veprimtarisë së kësaj linje këshilluese. Gjithashtu, sipas rasteve të raportuar, bullizmi dhe format e tjera të dhunës ndaj fëmijëve janë më prezente në qytetet e mëdha të vendit.

“Vlen të theksohet se për 154,164 telefonata, informacioni mbi vendbanimin mungon”,- thotë Coku.

METAMORFOZA: NGA TË DHUNUAR NË DHUNUES
Fatjon Taipi, koordinator i “Zyrës për Djem dhe Burra” (ZBD) në Shkodër që ofron shërbime rreth trajtimit të dhunës në familje, jo vetëm në drejtim të të dhunuarit por edhe të dhunuesit, thotë për “Sinjalizo” se gjatë punës me dhunuesin mashkull rezulton se ata kanë qenë të dhunuar më parë.

“Një pjesë e programit është e fokusuar në eksplorimin e jetës së dhunuesit dhe në shumë raste ata tregojnë që kanë qenë viktima të dhunës në familje nga baballarët e tyre. Ne duam të bëjmë ndërgjegjësimin për pasojat që ka dhuna në familje dhe në asnjë mënyrë në justifikimin e dhunuesve për të thënë që unë isha viktimë dhe tani duhet të reagoj”,- thotë Taipi duke shtuar se nuk kanë munguar përgjigjet e dhunuesve kur pretendojnë të kenë përdorur dhunë mbi një grua apo mbi partneren pasi janë dhunuar më parë prej tyre.

Në Zyrën për Djem dhe Burra (ZDB) gjatë vitit 2023 kanë ndjekur programin e këshillimit 46 djem me sjellje agresive të referuar nga institucionet arsimore dhe shërbimet sociale, si edhe 88 burra dhunues. Zyra ka 3 këshillues për të rritur dhe 2 këshillues për të mitur, ndërkohë që numri i referimeve nga Gjykata ka ardhur në rritje pas vitit 2021. Me ndryshimet e bëra, ligji detyron dhunuesin të ndjekë programe rehabilituese.

Fatjon Taipi thotë për “Sinjalizo” se numri më i madh i dhunuesve që i janë drejtuar ZDB-së vijnë nga zonat periferike urbane, në të cilat janë vendosur popullsi me prejardhje nga fshatra të thella malore. Sidoqoftë dhunuesit nuk mund të lidhen me prejardhjen apo statusin social.

“Dhunuesit nuk kanë prejardhje, ata janë dhunues sepse tradita patriarkale i ka mësuar të jenë dhunues në zgjidhjen e konflikteve“,- thotë Taipi.

Përveç stereotipeve gjinore që e cilësojnë burrin si “dominat” ndaj partnerës, në qytetet e mëdha po dallohet “ndryshimi” i roleve të ish-dhunuesit të kthyer në dhunuar.

“Kur është fjala për dhunën e grave ndaj burrave të tyre, duket sikur ‘tronditja sociale’ bëhet më e madhe, ngaqë fenomeni ka qënë pothuaj inekzistent në të kaluarën”,- thotë për “Sinjalizo” socilogu Gëzim Tushi, sipas të cilit në zonat metropolitane, në qytetet e mëdha është mundësia më e madhe për t’u hasur me dhunën e çdo forme ndaj burrave, ndryshe nga zonat rurale, fshatrat, ku maskilizimi vazhdon të mbesë më i theksuar.

“Megjithatë tashmë shoqëria jonë është në rrugën e aftësimit të përhapjes në mënyrë më të gjërë të patologjive që shfaqen fillimisht si dukuri të jetës urbane dhe pastaj marrin karakterin e zgjeruar të fenomenit social”,- thotë Gëzim Tushi, sipas të cilit është e nevojshme të kapërcehet “turpi social” për raportimin e dhunës që mund t’u bëhet meshkujve duke mos lejuar që ajo të degradojë në nivele të larta të krimit apo edhe vetëvrasjes.

Në Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021-2023 njëra ndër objektivat e synuara për t’u arritur në 6 vitet në vijim lidhet me mbrojtjen më të mirë prej dhunuesve të grave, vajzave, burrave.

“Mbrojtja më e mirë e grave, burrave, të rejave, të rinjve, vajzave dhe djemve nga të gjithë grupet, nga të gjitha format e praktikave të dëmshme, seksizmit, dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, përmes përmirësimit të legjislacionit, zbatimit efektiv të tij, ofrimit të shërbimeve mbështetëse të specializuara për personat e dhunuar, ndëshkimin e dhunuesve dhe vënien në funksionim të programeve rehabilituese”,- shkruhet në strategjinë kombëtare, zbatimi i së cilës është llogaritur 27,086,268 Euro por 15.6% e buxhetit është cilësuar si “hendek financiar”, ndërsa 33.9% e tij është parashikuar të financohet prej donatorëve.

“ Për periudhën 2021-2030, buxheti i shtetit pritet të financojë zbatimin e planit në masën 50.5% të financimit të nevojshëm, 33.9% pritet të financohet nga burime të tjera dhe donatorët, ndërsa 15.6% është hendek financiar”,- shkruhet në Strategjinë Kombëtare për Barazi Gjinore 2021-2030.

Dhuna në Shqipëri shpërfaqet si një sfidë komplekse dhe e thellë që kërkon angazhim të përbashkët dhe masa konkrete. Shifrat dhe rrëfimet e të dhunuarve dhe të dhunuesve shërbejnë si një zile alarmi për të adresuar problematikat e kësaj plage të vjetër shoqërore. Ndërkohë që ndryshimi i rolet dhe stereotipet gjinore po evoluojnë, nevoja për një përkushtim të vazhdueshëm dhe tërësor është e pamohueshme. acqj.al