Prokuroria e Tiranës ka kërkuar arrest me burg për Dritan Nanon, i arrestuar 3 ditë më parë si organizator i dhunës barbare ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në spital, si dhe për dhëndrin e tij Dorian Alia, që u vetëdorëzua disa orë pas ngjarjes së rëndë.
Ndërkohë në kërkim vijojnë të jenë edhe tre persona të tjerë, Elton Kasaj, Drivald Alia, Romario Tabaku, me këtë të fundit që ndihmoi agresorët të largoheshin pas ngjarjes.
Sokol Mëngjesi u dhunua me sende të forta në kokë mëngjesin e 29 majit në zonën e ish-bllokut, pak minuta pasi kishte lënë djalin e mitur në kopsht.
Aktualisht Mëngjesi ndodhet në spitalin e Traumës, në intubim në gjendje të rënduar shëndetësore.
Porositësi i sulmit sipas hetimeve të policisë është Dritan Nano. Ky i fundit kishte refuzuar të shlyente detyrimet ndaj avokatit, edhe pse ky i fundit e kishte fituar procesin gjyqësor për një pronë të trashëguar, ku Nano nuk pranonte të likuidonte avokatin Mëngjesin kontratës që kishin firmosur.
Dritan Nano ka mohuar akuzat, por dëshmia e të riut Dorjan Alia i cili u vetëdorëzua dhe pranoi krimin, zbuloi se ai së bashku me 3 të tjerë ishin porositur nga 58 vjeçari për t’i dhënë një mesazh kërcënues avokatit.