“Dezinformimi”, Rrjeti SafeJournalists: Miratimi pa konsultim dhe pa konsensusin e opozitës, ngre shqetësime mbi qëllimin e këtij komisioni

Rrjeti SafeJournalists i është drejtuar me një letër Kuvendit në lidhje me ngritjen e Komisionit të Dezonformimit.

Në letrën drejtuar kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, ata shprehen të shqetësuar në lidhje me ngritjen e këtij komisioni teksa evidentojnë se ka një mungesë konsultimi me palët dhe se mund të ketë implikim në lirinë e medias.

Po ashtu në reagimin e tyre, rrjeti SafeJournalist shprehet se është shqetësuese mungesa e konsesusit nga opozita si edhe miratimi i shpejtë i këtij komisioni në Konferencën e Kryetarëve, duke hedhur kështu dyshime mbi qëllimin dhe objektivat e komisionit.

“Ndërkohë që ne e pranojmë qëllimin për të trajtuar çështjen urgjente të dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj, pas krijimit të një Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, është e domosdoshme të merren parasysh implikimet më të gjera që kjo nismë mund të ketë në lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes. Urgjenca në formimin e komisionit, mungesa e një procesi konsultativ me palët e interesuara, mungesa e konsensusit nga opozita dhe miratimi i shpejtë më 3 prill 2024, në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ngre shqetësime në lidhje me qëllimin dhe objektivat e komisionit”, shprehet SafeJournalist.

Rikujtojmë se edhe opozita nuk ishte pro ngritjes së këtij komisioni, duke kërkuar më shumë kohë, pasi çështja është sensitive dhe duhet të trajtohet me kujdes. Por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga socialistët, të cilët votuan pro ngritjes së këtij komisioni.

Më poshtë letra e Rrjetit SafeJournalists drejtuar Lindita Nikollës:

Rrjeti SafeJournalists, përfaqëson mbi 8,200 anëtarë nga Ballkani Perëndimor dhe është i përkushtuar në advokimin për të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve, si dhe në mbrojtjen e lirisë së medias në rajon. Organizata jonë monitoron vazhdimisht peizazhin mediatik në Shqipëri dhe është e angazhuar në zhvillimet që prekin komunitetin e gazetarëve.

Ndërkohë që ne e pranojmë qëllimin për të trajtuar çështjen urgjente të dezinformimit dhe ndërhyrjes së huaj, pas krijimit të një Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin, është e domosdoshme të merren parasysh implikimet më të gjera që kjo nismë mund të ketë në lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.

Urgjenca në formimin e komisionit, mungesa e një procesi konsultativ me palët e interesuara, mungesa e konsensusit nga opozita dhe miratimi i shpejtë më 3 prill 2024, në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë, ngre shqetësime në lidhje me qëllimin dhe objektivat e komisionit.

Për më tepër, mekanizmat ekzistues brenda kuadrit legjislativ të Shqipërisë, si komisionet e tjera parlamentare, apo Kodi i Transmetimeve Audiovizive, i miratuar vetëm vitin e kaluar, tashmë ofrojnë mekanizma për të adresuar çështjet që lidhen me dezinformimin. Nevoja për themelimin e një entiteti të ri potencialisht me pushtet të gjerë dhe të papërcaktuar kërkon një deliberim të hollësishëm për të parandaluar çdo shkelje të mundshme të lirisë së medias dhe shprehjes.

Duke qenë se krijimi i Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin është tashmë një fakt, i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë dhe Komisionit të sapoformuar të punojnë me një qasje që i jep përparësi transparencës, gjithëpërfshirjes, llogaridhënies dhe efektivitetit në veprimtarinë e komisionit. Është e domosdoshme që vendimet dhe strategjitë e komisionit të bazohen në kërkime rigoroze dhe analiza të të dhënave. Angazhimi i një game të ndryshme aktorësh, duke përfshirë profesionistët e medias, shoqërinë civile, organizatat e lirisë së medias, ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, është gjithashtu thelbësor për ruajtjen e vlerave demokratike.

Komisioni duhet të ndërmarrë një proces të plotë për të përcaktuar qartë qëllimin dhe objektivat e tij. Kjo qartësi është thelbësore për të shmangur çdo dyfishim të roleve me strukturat ekzistuese dhe për të siguruar që përpjekjet e komisionit të jenë të qarta, të përcaktuara saktësisht dhe të japin rezultate të prekshme. Një mandat i mirëpërcaktuar gjithashtu do të parandalojë tejkalimin e mundshëm dhe do të sigurojë që aktivitetet e komisionit të përqendrohen në trajtimin e dezinformacionit pa cenuar lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.

Ndërsa Shqipëria përparon në rrugëtimin e saj të anëtarësimit në BE, përafrimi me standardet e përcaktuara nga Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA) dhe Akti i ardhshëm i Lirisë së Medias (MFA) bëhet jo vetëm një çështje përafrimi legjislacioni, por një hap vendimtar në harmonizimin me kuadrin ligjor dhe rregullator evropian. Fokusi i Komisionit të Posaçëm për Dezinformimin duhet të jetë në respektimin e kuadrit ligjor shqiptar ndaj këtyre standardeve për të siguruar që qasja e Shqipërisë për të luftuar dezinformimin të përputhet me objektivat dhe praktikat më të mira të BE-së.

Roli i gazetarisë së pavarur dhe cilësore është i domosdoshëm në zhvillimet demokratike shqiptare, duke shërbyer si shtyllë për qytetari të informuar dhe llogaridhënie. Çdo masë e marrë për të luftuar dezinformimin duhet të rrisë, jo të pengojë, aftësinë e medias shqiptare për të përmbushur këtë rol. Ne presim me padurim një dialog konstruktiv dhe jemi në pritje të shohim Kuvendin e Shqipërisë të miratojë një qasje që balancon luftën kundër dezinformimit me imperativin për të mbështetur lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.

Ne jemi të vëmendshëm ndaj veprimeve dhe vendimeve tuaja në këtë çështje dhe jemi në dispozicionin tuaj për çdo dialog apo kontribut që mund të ndihmojë në arritjen e këtyre objektivave të përbashkëta.

Mirëpresim përgjigjen tuaj.

Me respekt,

Tamara Filipovic Stevanovi

Leter e Hapur

Anetaret e rrjetit SafeJournalists:

Shoqata e Gazetarëve të Bosnjes dhe Herzegovinës

Sindikata e Mediave të Malit të Zi

Shoqata e Gazetarëve Kroatë

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë