Detaje të reja vijnë nga konflikti i dhunshëm që ndodhi dje tek “Kepi i Rodonit” në Durrës, për një pronë që rezulton me dy certifikata pronësie.
Burime nga vendngjarja bëjnë të ditur se Bajram Koculi, banor I fshatit Shetaj ka një pronë në hyrje të Kepit të Rodonit, ngjitur me rrugën ku po kryhen punime për rrethimin e zonës që është pronë e kishës franceskane.
Punimet po kryhen nga shoqëria Albanian Tourist Resort, por disa ditë më parë ato janë bllokuar nga IMT e Durrësit në bashkëpunim me policinë e Manzës dhe struktura të tjera vendore. Shtetasi Bajram Koculi pretendon se rrethimi që po kryhet ka hyrë në pronën e tij dhe për këtë arsye ka nisur konflikti kohë më parë. Ditën e djeshme palët janë konfliktuar sërisht, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe ish deputeti Mark Frroku si përfaqësues i kishës franceskane. Policia ka arrrestuar 8 vetë gjithsej, katër nga secila palë që u përfshinë në konflikt, ndërkohë që SPAK ka nisur hetimet për këët konflikt pasi dyshohet se ka mbivendosje pronash.
Truproja i Mark Frrokut, Besnik Toma rezulton të jetë edhe personi që ka qëlluar me armë zjarri gjatë konfliktit. Në vendngjarje policia gjeti edhe një gëzhojë. Personat e konfliktuar janë dëmtuar fizikisht.
Ndërkohë në pranga kanë rënë Bajram Kaculi, Erjon Reka, Orgito Reka, Ylli Reka, nga njëra palë dhe Mark Frroku, Antonio Lazari, Pal Doda, Martin Lazeri nga ana tjetër. Në kërkim është shpallur Besnik Toma ndërsa shtetasi Ndue Sokoli është proceduar në gjendje të lirë.