Drejtori i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka dalë në një konferencë për mediat në lidhje me dhunimin e avokatit Sokol Mëngjesi dhe identifikimin e 4 autorëve.
Vocaj tha se 3 persona kanë dhunuar avokatin dhe njëri prej tyre i ka larguar nga vendi i ngjarjes. Po ashtu Vocaj tha se dhunimi i Sokol Mëngjesit ka ndodhur për shkak të detyrës.
Sipas tij, avokati Sokol Mëngjesi ka përfaqësuar ligjërisht në një proces civil në Shkallë të Parë dhe në Apel një familje që kishte të trashëguar një pronë në Tiranë, proces i cili është fituar nga pala e përfaqësuar prej tij. Disa nga trashëgimtarët nuk kanë pranuar të plotësojnë kushtet ligjore të kontratës me studion ligjore.
Elton Kasaj, Drivald Alia dhe Dorian Alia janë 3 personat që kanë dhunuar avokatin ndërsa Romario Tabaku i ka larguar me mjet nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë është ndaluar edhe organizatori Dritan Nano, që dyshohet se është personi që ka porositur 4 të rinjte për ngjarjen. Ata nuk janë paguar, por kanë lidhje krushqie me njëri tjetrin.
Për këtë ngjarje, Policia e Tiranës e ka referuar dosjen në Prokurori për akuzën e vrasjes së funksionarëve publik të mbetur në tentativë.
Policia ka vendosur 20 mijë euro shpërblim për këdo që do të japë informacion të vlefshëm për kapjen e 3 autorëve teksa njëri prej tyre, Dorian Aliaj është vetëdorëzuar në polici.