Rreth një muaj më parë, opinioni publik u shokua nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Shënavlash të Durrësit, ku Pëllumb Meta u gjet i vrarë dhe i groposur në kasollen pranë shtëpisë së tij.
Si autorë të krimit janë arrestuar 3 fëmijët e tij, megjithëse ngjarja vijon ende të jetë e rrethuar nga misteri. Ndërkohë detaje të reja vijnë nga hetimi për ngjarjen, Në Prokurorinë e Durrësit ka mbërritur përgjigja nga Laboratori Shkencor në Tiranë, ku sipas ekspertizës balistike të pistoletës TT Mod-54, është konfirmuar se është pikërisht kjo arma me të cilën është kryer krimi. Në shtëpi ishte gjetur edhe gëzhoja e një arme tjetër dhe policia kishte dyshime mund të jenë përdorur dy armë, ose është përdorur një armë tjetër dhe jo ajo që tashmë është gjetur. Por tani ekspertiza ka provuar se ishte ajo arma. Gjurmët në të janë fshirë, ndërsa në qesen që e mbështillte u gjetën vetëm shenjat e gishtave të djalit të vogël.
Autorësinë për krimin e ka pranuar vajza e tij, 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila studionte në Universitetin e Tiranës. Vajza ka deklaruar se e ka vrarë të atin pasi ai donte ta fejonte me një person, të cilin ajo nuk e donte.
Por prokuroria ka dyshime se diçka tjetër më e madhe fshihet pas ngjarjes, ku të përfshirë janë të tre fëmijët e viktimës.
Dyshohet se djali i madh, i cili nuk ka pranuar të bëjë qitje, mund të jetë një përdorues shumë i mirë i armës dhe ai nuk ka dashur të zbulojë asgjë. E vetmja që ka pranuar të bënte qitje me armë ishte Hygerta e cila kërkon të shpallet fajtore për vrasjen. Ajo ka çuditur hetuesit kur ka mbushur armën dhe e ka shkrepur atë, ndonëse jo në shenjë.
Dyshimet më të mëdha bien mbi djalin e madh i cili mund ta ketë blerë armën një ditë para ngjarjes së rëndë.
Prokuroria po heton për çështje pasurie, pasi Pëllumb Meta ishte pronar i një parcele toke në Shenavlash që llogaritet të ketë vlerën e 500 mijë eurove.