Detaje të reja dalin në dritë për grabitjen me armë të argjendarisë pasditen e së martës. Burimet thonë se në fakt pjesëmarrës në grabitje kanë qenë 4 persona.
Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë nga uniformat blu, duken 3 persona të maskuar me armatim që dalin nga mjeti “BMW X6” të cilët futen në argjendari. Ata arritën të vjedhin afro 500 gram flori.
Mirëpo, personi i katërt ka qenë shoferi, i cili i priti brenda këtij mjeti, me të cilin ata u larguan drejt Fushë Krujës.
Sipas çmimit të tregut sasia e vjedhur e arit, kap një vlerë rreth 25-30 mijë euro.
Targat nuk i perkasin ‘BMW x6’ që u përdor për vjedhjen, por një automjeti tjetër tip ‘Hyundai’. Bëhet e ditur se këto targa ishin kopjuar nga autorët dhe ishin vendosur në automjetin që u përdor gjatë grabitjes.Bazuar në dëshminë e pronarës së argjendarisë, një nga autorët ka pasur dialekt jugor.
Një nga autorët që hynë në dyqan ka kërcënuar punonjësit me armë kallashnikov, teksa të tjerët kanë thyer xhamat e raftit ku ekspozoheshin bizhuteritë, duke marrë stolitë.
Një detaj që mund t’i shërbejë grupit hetimor, është fakti se gjatë momentit që janë larguar autorëve u kanë rënë disa kuti bizhuterish, dhe grupi hetimor po punon për te gjetur gjurmë të tyre në këto bizhuteri dhe për identifikimin e autorëve.