Detaje të reja dalin në dritë për ngjarjen e Fierit, ku një gjyqtar denoncoi në Polici se ishte kërcënuar nga Arben Isufaj, i njohur si “Ben Qimja”
Mediat raportojnë se 55-vjeçari ka kërcënuar gjyqtarin për një gjyq pronash.
Dokumentet të cilat u sekuestruan në banesën e Arben Isufit, kishin lidhje me një çështje pronash në emër të të afërmve të tij. Është pikërisht kjo çështje për të cilën gjyqtari i Fierit, Vladimir Cjapi është kërcënuar nga Arben Isufi.
Pas kërcënimit nga Ben Qimja, gjyqtari i Fierit dhe familjarët e tij janë marrë në mbrojtje.
Sipas gjyqtarit të Fierit Vladimir Cjapi, kërcënimi është bërë në datën 12 shkurt, ndërsa kallëzimi është bërë pranë Prokurorisë së Fierit 5 ditë më vonë, më 17 shkurt.
Gjatë kontrolleve Ben Qimja nuk u gjet në banesën e tij në lagjen Sheq i Madh në Fier. Por aty, në automjete dhe ambiente në pronësi të tij, policia gjeti 1 pistoletë, 2 targa të huaja, jelek të policisë, 2 pajisje DVR, 6 celularë dhe dokumente të cilat do t’i shërbejnë hetimeve.
55-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ben Qimja ka qenë subjekt i ligjit “Antimafia” dhe në vitin 2023, me vendim të gjykatës së Posaçme, iu konfiskua pasuri e pajustifikuar e që dyshohet se rrjedh nga krimi, aksione të një kompanie, mijëra metra katrorë tokë truall, arë dhe 6 automjete luksoze.