Dëshpërimi i Ramës për marrëdhënie të mira me SHBA-në: Ftesa “all inclusive” për Eric Adams që shkaktoi skandal në Amerikë

Pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, ku Edi Rama dhe PS-ja fituan një mandat të katërt qeverisës, ajo që bëri më shumë bujë nuk ishte fitorja, e cila pritej nga qytetarët shqiptarë, por urimi i thatë i Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Si asnjëherë më parë, urimi i Ambasadës Amerikane për popullin shqiptar ishte tepër i përgjithshëm dhe i rezervuar, duke përmendur vetëm “popullin” dhe “partneritetin” pa përmendur asnjëherë emrin e Ramës, partisë së tij apo qeverisë.

Ky mesazh tregoi një realitet të vështirë për Ramën: marrëdhëniet e tij me Uashingtonin ishin në një krizë të thellë. Kjo pasqyrohej edhe në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj qeverisjes së tij, sidomos për çështjet e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar.

Ideja e Ramës për të ftuar një zyrtar amerikan, për të mbuluar dëshpërimin për marrëdhëniet me SHBA

Pa asnjë njoftim zyrtar, kryebashkiaku i New York, Eric Adams, ishte ftuar nga kryeministri Rama në Tiranë, me qeverinë shqiptare që do të mbulojë shpenzimet e vizitës së tij, para’ këto që dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Adams u prit si një zyrtar i lartë i SHBA-ve, teksa iu vu në dispozicion edhe një helikopter për ta thjeshtuar sa më shumë vizitën e tij në vendin tonë.

Por edhe pse Eric Adams është një figurë e njohur në SHBA, ai është një zyrtar lokal dhe jo një diplomat apo përfaqësues i administratës Trump. Në kushte normale, ai do të duhej të takohej me homologun e tij në Bashkinë e Tiranës, që këtë herë do të ishte Anuela Ristani, teksa më herët ishte takuar edhe me Erion Veliajn.

Ndaj, ky takim nuk ishte asgjë tjetër veçse propaganda e radhës për të bindur publikun shqiptar se marrëdhëniet e Ramës me SHBA-të janë të forta, edhe pse realiteti tregon të kundërtën.

Madje, as Ambasada Amerikane në Tiranë dhe as DASH nuk e raportuan një vizitë të tillë.

Skandali në SHBA për vizitën e Eric Adams në Shqipëri

Vizita e Eric Adams në Tiranë shkaktoi reagime të forta në SHBA, pasi kryebashkiaku i New York ka vetëm 12 javë të mbetura nga mandati i tij.

“Vizita në këtë destinacion turistik, që ndodhi vetëm një javë pasi Adams njoftoi se do të ndalonte fushatën për rizgjedhje për shkak të sondazheve jashtëzakonisht të ulëta, ka ngritur pikëpyetje mes ligjvënësve, të cilët prisnin që në ditët e fundit të mandatit të tij, ai të përqendrohej në lënien e një trashëgimie të qëndrueshme në qytetin e tij”, shkruan New York Times.

Lexo edhe: New York Times: Qeveria shqiptare paguan udhëtimin e Eric Adams drejt Tiranës, vizitë tek kryeministri që përmendet në skandalin McGonigal

Në artikullin e shkruar nga prestigjiozja amerikane, përmendet edhe lidhja e kryeministrit Rama me Charles McGonigal, me këtë të fundit që është dënuar nga gjykata amerikane.

“Z. Rama, kryeministri, ishte një figurë kyçe në njërën prej dy aktakuzave për korrupsion të ngritura në janar 2023 kundër z. McGonigal nga prokurorët federalë, një në Nju Jork dhe një tjetër në Uashington. Aktakuza në Uashington nuk e përmend Ramën me emër, por referohet 13 herë ndaj “kryeministrit të Shqipërisë” në një dokument prej 16 faqesh.

Sipas prokurorëve, gjatë kohës kur McGonigal ishte ende në FBI, ai ndërtoi një marrëdhënie me z. Rama dhe e përdori atë për të ndihmuar një kompani të lidhur me një ish-oficer shqiptar të inteligjencës, i cili i dha atij 225,000 dollarë, për të fituar një licencë për shpim nafte. Gjithashtu, McGonigal kërkoi që FBI të hapte një hetim ndaj një lobisti të rivalit politik të Ramës dhe agjencia e bëri këtë”, shkruan New York Times.

Çfarë fitoi Rama?

Asgjë! Në fund të ditës, kjo vizitë nuk solli asnjë fitore diplomatike për Shqipërinë. Nuk pati mbështetje të administratës Trump, nuk pati marrëveshje konkrete dhe asnjë hap drejt përmirësimit të marrëdhënieve. Vetëm një spektakël propagandistik që i kushtoi shumë taksapaguesve shqiptarë.

Në qendër të gjithë kësaj ngjarjeje qëndron dëshpërimi i Edi Ramës për të treguar që është ende mik me amerikanët. Në një kohë kur mungesa e ftesave, mosnjohja e qeverisë së tij nga administrata Trump dhe raportet kritike të DASH kanë lënë Shqipërinë jashtë agjendës amerikane, Rama tenton të kapet në çdo mundësi, madje edhe të sajojë një vizitë shumë të diskutueshme.

Lexo edhe: E solli me paratë e shqiptarëve, Rama nxjerr kryebashkiakun e New York të bëjë propagandën e tij dhe nuk lejon gazetarët t’i bëjnë pyetje