Zabit Çuku, ish-ushtarak që më pas punoi edhe si mbikqyrës i punëtorëve në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec, ka dëshmuar përpara gjykatësve në Gjykatën e Posaçme.
Ai deklaroi se është punësuar në 21 Janar 2008 se bashku me disa ish-ushtarakë të tjerë, ku kishin si detyrë sigurinë teksnike, për shkak edhe të profesionit si ish-xhenierë. Çuku tregoni se ditën e ngjarjes në fabrikë kishte disa ton barut dhe kishte kërkuar që të hiqej, por kërkesa nuk u mor parasysh.
Sipas tij, fillimisht ka dëgjuar një grua duke bërtitur dhe më pas ka parë tym të bardhë, ndaj mori punëtorët e tij dhe u largua në një drejtim tjetër. Ai tregon se në shpërthimin e dytë i ra një copë predhe në kokë dhe ka thyer këmbën.
“Deri në 2004 kam qenë në Ministrinë e Mbrojtjes, më pas kam punuar deri në 2007 në Gjadër për çmontimin e minave detare. Në Gërdec jam punësuar në 21 janar 2008. Aty kam vajtur së bashku me disa ish-ushtarakë të tjerë, ne ishim liruar nga detyra dhe ishim nevojtarë. Merrnim 3 mijë lekë në ditë. Njoftimin e mora nga Sokol Ngjeci. Detyra jonë ishte të merreshim me sigurinë teknike për shkak të profesionit si ish-xhenier. Grupi që unë drejtoja ishte i përbërë nga disa veta. Isha 20-30 metra nga vendi ku ra zjarri. Unë punoja tek predhat, te cilave u hiqnim djegoret me çelës mekanik dhe forcën e krahut. Ditën e ngjarjes në shesh kishte shumë barut, ishte me tonë mund të them. Veizi ose Vangjeli na ndanin punët. Kam përvojë në demontimin e minave detare kemi bërë gati 2700 ton. Në Gërdec unë i hiqja djegoret me forcën e krahut. Ditën e ngjarjes në shesh kishte shumë barut që kishte ngelur edhe nga më herët u bëmë vërejtje që të hiqej baruti. Në 12 pa ca kam dëgjuar një grua që të bërtasë, ika me vrap se zjarr. Kam parë tym të bardhë, shtëllungë si ai i barutit. Më pas kam marrë punëtorët e mi dhe kam ikur me vrap. Mora punëtorët e mi nga një tjetër drejtim se e dija që baruti merr si kashta. Më pas më ra një copë predhe nga shpërthimi i dytë në kokë, theva këmbën, ndenja 3 orë e gjysëm derisa erdhi ambulanca. Saldime nuk bëheshin brenda. Jashtë s’e di”, deklaroi Çuku.
Ardian Visha e pyeti për lloje llojet e predhave që kanë çmontuar.
“Nga 12.7 deri në 152. Për predhat 100 ishte krijuar një vend i posaçme mure betoni me vrima ku bëhej çmontimi i tyre pasi janë specifike”, tregoi Çuku.