Qeveria shqiptare synon që deri në vitin 2030 rreth 20% e rrjetit rrugor të përfshihet në skema tarifimi elektronik, si pjesë e masave në strategjinë sektoriale të transportit dhe planit të veprimit deri në vitin 2030.
Dokumenti vendos në fokus ndër të tjera zgjerimin e Sistemeve Inteligjente të Transportit (SIT) në të gjithë rrjetin TEN-T, duke përfshirë menaxhimin në kohë reale të trafikut, monitorimin e aseteve dhe ofrimin e informacionit për udhëtarët. Një komponent i rëndësishëm i kësaj është edhe zhvillimi i biletimit digjital në transportin ndërqytetës dhe sistemeve të qëndrueshme të tarifimit elektronik (e-tolling).
Në këtë kuadër, strategjia parashikon përgatitjen e kuadrit ligjor dhe teknik për tarifimin digjital të rrugëve, në përputhje me standardet europiane si Direktiva Eurovignette dhe Shërbimi Europian Elektronik i Tarifimit Rrugor (EETS). Pilotimi i e-tolling do të nisë në segmentet me trafik më të lartë të rrjetit TEN-T, pas ngritjes së infrastrukturës përkatëse.
Qeveria parashikon që të krijohet një fond i veçantë që vjen nga pagesat dhe karikimet elektrike që do të shkojë për mirëmbajtjen e rrugëve.
“Krijimi i një fondi të dedikuar për mirëmbajtjen e rrugëve, i financuar përmes tarifave të përdoruesve (pagesë rruge, tarifat e karikimit të mjeteve elektrike) në përputhje të plotë me parimet e direktivës Eurovignette dhe Rregulloren (BE) 2023/1804 mbi instalimin e infrastrukturës së lëndëve djegëse alternative” thuhet në strategji.
Aktualisht, disa segmente rrugore janë me pagesë, përfshirë Rrugën e Kombit, aksin Thumanë–Kashar dhe tunelin e Llogarasë, për të cilin pritet aplikimi i tarifës brenda sezonit veror.
Përveç tarifimit rrugor, strategjia parashikon edhe zbatimin e biletimit digjital në transportin ndërqytetas të udhëtarëve, duke synuar një integrim më të plotë të shërbimeve dhe rritjen e transparencës në arkëtime.
PPP dhe koncesionet mbeten në fokus
Në të njëjtën kohë, qeveria duket se do të vijojë t’i qëndrojë besnike qasjes së saj pro partneriteteve publike-private (PPP) dhe koncesioneve në sektorin e infrastrukturës edhe në vitet në vazhdim.
Strategjia i konsideron këto instrumente si mjete plotësuese për mobilizimin e investimeve private dhe përshpejtimin e zbatimit të projekteve, veçanërisht në ndërtimin e rrugëve dhe zhvillimin e infrastrukturës kryesore. Sipas dokumentit, modeli synon të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale dhe të reduktojë vonesat, duke garantuar njëkohësisht përdorim më efikas të fondeve publike.
Një theks i veçantë vihet edhe te transporti ndërqytetas, ku parashikohet nxitja e PPP-ve për operimin, mirëmbajtjen dhe modernizimin e terminaleve.
Zhvillimet vijnë në kohën kur kanë “lindur” kompani të reja të lidhura me sektorin. Një prej tyre është Enti Kombëtar i Operimit Rrugor (EKORR) ngarkuar me menaxhimin e rrugëve me pagesë, përfshirë operimin e portave automatike dhe administrimin e sistemeve të tarifimit elektronik.
Ndërkohë, më pas u krijua shoqëria “Mob AI” që fokusohet në operimin e transportit publik rrugor, përfshirë biletimin elektronik, menaxhimin e flotës dhe zhvillimin e sistemeve digjitale për monitorimin e shërbimeve. Monitor