Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim varësisën e 14 vjeçarit Martin Cani. Autori Mario Përlleshi është dërguar për gjykim, i akuzuar për veprën penale “Vrasje në rrethana cilësuese”.
Nga ana tjetër, Prokuroria njofton se ka nisur një procedim penal për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, ndaj stafit të shkollës “Fan Noli”, lidhur me veprimet apo mosveprimet e tyre.
Sipas organit të akuzës, hetimet vazhdojnë pasi është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.
Njoftimi i Prokurorisë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasin M.P., i akuzuar për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në rrethana cilësuese’ ndaj një të mituri dhe kundër dy ose më shumë personave, e parashikuar nga neni 79, shkronja a) dhe dh) i Kodit Penal, në dëm të të miturve M.C. dhe L.M.
Pas një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka përfunduar hetimet lidhur me procedimin penal nr.7676, të regjistruar datë 18.11.2024/
Gjithashtu, nga ana e organit të akuzës është vendosur ndarja e akteve të këtij procedimi, të akteve që lidhen me veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal, lidhur me veprimet apo mosveprimet e stafit të shkollës, të cilat janë regjistruar në një procedim tjetër, dhe për të cilin hetimet vazhdojnë pasi është e domosdoshme kryerja e veprimeve të tjera hetimore, me qëllim individualizimin e fajësisë dhe përgjegjësive penale konkrete.