Deputeti ukrainas Olekseiy Goncharenko, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (KiE) ku po diskutohet raporti për anëtarësimin e Kosovës tha se mbështet anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Edhe pse Ukraina nuk njeh pavarësinë e Kosovës, ai tha se Kosova është Evropë.
Deputeti ukrainas i ka bërë thirrje Serbisë për të shkëputur lidhjet me presidentin rus, Vladimir Putin.
“Dua të përgëzoje Kosovën. Jam i sigurt që do të ketë vendim pozitiv dhe Kosova e meriton 100 për qind. Është një moment i rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Ballkanin, por për të gjithë ne. Sepse, bota e lirë duhet të bëhet bashkë. Bota e lirë duhet të jetë e bashkuar. Tiranitë e perandoritë po përpiqen të bëjnë hakmarrje. Shikojeni çka po ndodhë. Putini po përpiqet ta rindërtojë perandorinë ruse… Shikojeni çka po ndodhë në Ballkan, ku Rusia po përpiqet t’i hedhë benzinë zjarrit, të ketë luftëra të tjera. Kosova duhet të jetë anëtare e KiE, anëtare e BE-së. Kosova është Evropë dhe kjo është e vërtetë”, ka thënë Goncharenko.
Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi i ka plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Evropës.