Deputeti i PS, Ergys Çyrbja del pas 5 orësh nga SPAK, “kyç gojën” para gazetarëve

Deputeti i PS, Ergys Çyrbja ka qendruar për rreth 5 orë në SPAK dhe pasi doli refuzoi që të ndalej në një komunikim për gazetarët.

Çyrbja nuk pranoi që të tregonte se përse u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm, por burime për mediat bëjnë me dije se ai u paraqit në organin e akuzës për të dhënë deklarime në lidhje me një kallëzim të bërë nga Edi Paloka, gjatë kohës që deputeti mbante pozicionin e kreut të Hipotekës së Durrës.

Drejtuesi politik i qarkut të Durrësit, Edi Paloka 3 vite më parë dërgoi Çyrbjan në SPAK, duke e akuzuar për “shpërdorim detyre”. Në atë kohë Paloka tha se Çyrbja akuzohet për mbivendosje prone, pasi brenda një dite ka firmosur dy praktika për të njëjtën prone.

Kujtojmë që pak vite më parë, konkretisht në 2017, Çyrbja u denoncua nga opozita, si person që rezultonte i ‘përfshirë’ në çështjen e Emiljano Shullazit.

Jurgis Çyrbja, deputeti aktual i Partisë Socialiste, ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel Vollgën.