Deputeti demokrat, Lefter Gështenja i kërkon SPAK çelë një hetim të veçantë për kontratën koncesionare të inceneratorit të Tiranës, pasi sipas tij kontrata përmban shifra më të larta sesa punimet reale të kryera te djegësi.
“Është fakt që ky është plani i biznesit të kompanisë së “inceneratorit” të Tiranës, sipas kontratës së miratuar nga Bashkia dhe Qeveria.
Kontrata duhet të jetë objekt i veçantë hetimi nga SPAK pasi përmban shifra shumë të fryra kostosh dhe investimesh të parealizuara. Pra, kompania premtoi investim 128 milionë euro për incenerator, që nuk nisi kurrë, ndërsa fitimet do ishin kolosale që do e kalonin 1 miliardë euro për 30 vjet,- shkruan Gështenja në Facebook.
Përmes publikimit të planit të biznesit, deputeti ngre shqetësimin se përfitimet e shoqërisë koncesionare që vijnë nga depozitimet e dherave dhe inerteve nuk janë parashikuar qëllimisht.
“Perfitimi i shoqerise koncensionare eshte :
• Nga shitja e energjise 133,5 milion euro
• Nga shitja e scrapit 78,3 milion euro
• Fitim i planifikuar shoqerise 120,9 milion euro.
Pra, në rastin më të keq, kompania thotë se do fitonte 120 milionë kur në fakt në plan-biznes nuk janë parashikuar qëllimisht përfitimet e kompanisë që vijnë nga depozitimet e dherave dhe inerteve, të cilat janë miliona euro në vit, nuk është parashikuar rritja e sasisë së mbetjeve e cila kalon 760 tonë në ditë apo rritja e çmimit nga 29.05 në vitin e parë në 50.5 euro toni në vitin e ’30”,- thotë deputeti.
Sipas Gështenjës, në 4 vite djegësi i Tiranës ka përfituar në mënyrë të paligjshme 65 milionë euro fonde publike.
“Në vetëm 4 vite, inceneratori gllabëroi të paktën 65 milionë euro fonde publike pa llogaritur nga privatët. E nxorrën investim në 4 vite pa e nisur akoma. Imagjinoni sikur të kishin incenerimin në punë për të prodhuar energji.
Vjedhja dhe abuzimi ska fund me këta pushtetarë, për më tepër që na e shesin si sukses!”