Deputetët demokratë në mbështetje të kandidatit të opozitës

Deputetët demokratë që mbështesin Sali Berishën dhe ata në mbështetje të Gazment Bardhit janë mbledhur sërish në një tryezë. Këtë herë takimi është zhvendosur në Kukës, pasi të dielën zhvillohen zgjedhjet për kreun e ri të bashkisë, me opozitën që ka propozuar si kandidat Emri Vatën.

Të gjithë deputetët demokratë janë vënë në mbështetje të kandidatit opozitar, ndërkohë që mbledhjes nuk i janë bashkuar sërish Lulzim Basha dhe deputetët që e mbështesin.

Pas përfundimit të mbledhjes, Sali Berisha tha për mediat se në këtë mbledhje u morën disa vendime, teksa e cilësoi si t suksesshme takimin e tretë mes deputetëve demokratë. Gjithashtu ai u bëri thirrje qytetarëve të Kukësit të votojnë Emri Vatën.

“U shpreh solidariteti i plotë me Emri Vatën, i cili garon në Bashkinë e Kukësit pas një demaskimi moral dhe të gjithanshëm të përfaqësuesit të Edi Ramës, i cili ishte një copy-paste i Edi Ramës. Emri Vata ka besimin e plotë të të gjithë deputetëve të PD, besim se ai votën do e kthejë në shërbime transparente dhe përkushtim për qytetarët e Kukësit.

Është rasti t’u bëj thirrje të gjithë kuksianëve, kudo që ndodhen, por që kanë qendrën e votimit në Kukës, të vijnë ditën e diel dhe me votën e tyre të firmosin fillimin apo agun e një ndryshimi të madh që e pret Shqipërinë. Në mbledhje u diskutua gjerësisht mbi axhendën parlamentare, u morën vendime të cilat zoti Bardhi do ua komunikojë. Unë them se ishte një mbledhje shumë e frytshme.”, u shpreh Berisha.