Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar sot dosjen zyrtare të Charles McGonigal, ish-drejtues i kundërzbulimit në zyrën e FBI-së në New York, ku përfshihen detaje të rëndësishme për aktivitetin e tij të paligjshëm dhe lidhjet me figura të larta politike në Shqipëri, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.
Sipas dokumenteve të publikuara, McGonigal akuzohet për shkelje të rënda të ligjeve federale dhe etikës së FBI-së, duke përdorur pozicionin e tij zyrtar për përfitime personale dhe biznesi. Në dosje përmenden edhe dy persona kyç të identifikuar si “Personi A” dhe “Personi B”, që sipas mediave janë të lidhur me qarqe të biznesit dhe politikës shqiptare.
Provat e përfshira në dosje tregojnë se McGonigal ka marrë një shumë prej 225 mijë dollarësh nga një biznesmen shqiptar, i përshkruar si individ me lidhje të afërta me qeverinë shqiptare. Gjatë periudhës kur ai ishte ende në detyrë në FBI, McGonigal zhvilloi takime të fshehta në Tiranë dhe në Nju Jork me ish-zyrtarë të lartë të qeverisë shqiptare.
Gjithashtu, raporti konfirmon se ai ka qenë pjesëmarrës në dy darka private me kryeministrin Edi Rama gjatë vizitave të tij në Shqipëri, të cilat nuk janë raportuar në mënyrë zyrtare, siç kërkohet nga rregulloret e FBI-së dhe ligjet federale.
“Gjatë vitit 2017, McGonigal udhëtoi dy herë në Shqipëri. Në këto vizita, ai zhvilloi takime me Kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë një darkë private të organizuar nga një biznesmen shqiptar. Në komunikimet e tij të brendshme, McGonigal i referohet reformës në drejtësi në Shqipëri si një ‘mundësi e madhe’ për angazhim dhe zhvillim biznesi, duke e parë atë në funksion të interesave të tij personale pas daljes nga FBI. Në asnjë rast, ai nuk raportoi këto takime sipas kërkesave ligjore për një zyrtar të lartë të FBI-së.”

Departamenti i Drejtësisë e përshkruan këtë marrëdhënie si pjesë të një skemë më të gjerë korrupsioni ndërkombëtar, e cila përfshin edhe kompani kineze dhe oligarkë rusë. McGonigal dyshohet se ka vepruar me qëllimin për të ndihmuar interesa të huaja dhe për të ndërtuar marrëdhënie biznesi në Shqipëri, të cilat do t’i shfrytëzonte pasi të largohej nga detyra publike.
Një nga momentet e zbuluara është një foto e dërguar nga McGonigal në 9 shtator 2017, e cila tregon atë me kryeministrin Edi Rama.
Në mesazhin që shoqëronte foton, McGonigal shkruante se Rama po reformonte sistemin e drejtësisë në Shqipëri dhe se ky zhvillim ofronte “shumë mundësi”. Ky mesazh, i dërguar një miku të ngushtë të McGonigal, sugjeron një interes të thellë nga ana e ish-agjentit të FBI-së për zhvillimet politike në Shqipëri.

Në raport thuhet gjithashtu se ai nuk ka raportuar udhëtimet jashtë vendit, takimet me zyrtarë të huaj, apo marrëdhëniet me biznesmenë të lidhur me qeverinë, duke shkelur direkt rregulloret e brendshme të FBI-së dhe ligjet për sigurinë kombëtare.