DENONCIMI/ Policia e Shtetit vonon qëllimisht hedhjen e gjobave në sistem për të zhvatur qytetarët

Një valë denoncimesh të reja po qarkullon mes qytetarëve, të cilët pretendojnë se Policia e Shtetit po përdor një praktikë të dyshimtë me gjobat e mjeteve, vonesën e qëllimshme të hedhjes së tyre në sistem, derisa të kalojë afati ligjor 14-ditor për pagesën e reduktuar 50%.

Sipas shumë drejtuesve të automjeteve, situata është kthyer në një “skemë të heshtur” ku qytetarit nuk i komunikohet gjoba në kohë, nuk e gjen atë në sistemin online dhe më pas përballet me detyrimin për të paguar shifrën e plotë, pa asnjë të drejtë kundërshtimi.

Këto raste kanë ngritur dyshime serioze mbi mënyrën se si po zbatohen procedurat ligjore nga uniformat blu. Qytetarët thonë se vonesat nuk janë rastësore, por të përsëritura. Disa prej tyre kanë deklaruar se gjobat janë shfaqur në sistem vetëm pasi ka kaluar afati i lehtësirave ligjore, duke i vendosur ata në kushte të pafavorshme.

“Përshëndetje Media Ditari. Kam një shqetësim në lidhje me gjobat që Policia vendës për automjetet. Mirë që s’kemi ku parkojmë e detyrohemi të marrim gjoba, por gjobat nuk shfaqen në sistem derisa të kalojnë 14 ditë që t’i paguajmë në vlerë të plotë. Na i kanë bërë disa herë këtë, dhe nuk na japin asnjë shpjegim. Ju lutem denoncojeni si rast se po zhvatin qytetarët me këtë skemë”, thotë njëri prej qytetarëve.

Qytetarët kërkojnë që institucionet përkatëse të verifikojnë me seriozitet këto pretendime, sepse nëse vonesat vijnë për shkak të keqadministrimit apo mosveprimit, atëherë qytetarët po penalizohen padrejtësisht.