Deputeti i partisë “Mundësia” Erald Kapri ka denoncuar sot vjedhjen që po u bëhet tokave të banorëve në fshatin Gurras të Pogradecit, përmes Paketës së Maleve.
Nga Kuvendi, Kapri lexoi denoncimin e banorëve të këtij fshati, buzë liqenit të Pogradecit, se një biznes ka rrethuar 10 hektarë tokë, ndërsa ata thonë se këto toka i kanë marrë me ligjin 7501 dhe i kanë punuar për 30 vjet.
Kapri mes të tjerash shton se Bashkia e Pogradecit, në mungesë transparence, po përdor Paketën e Maleve për të rrëmbyer tokën e qytetarëve.
“Janë më dhjetëra banorë të Rrjollit në Shkodër që aktualisht janë duke u përballur me Policinë e Shtetit. Aty është dhënë leje për ndërtimin e një resorti dhe banorët janë cuar në protestë sepse pretendojnë se po u vidhet prona.
Dhe sipas raportimeve në media, ka qenë zv.kryeministrja Balluku që ka konfirmuar lejen pak ditë më parë.
Pra zv.kryeministrja në hetim për korrupsion që nuk denjon të japë dorëheqjen paska pasur guximin të firmos një tjetër leje zhvillimi në plazhet shqiptare.
Është e njëjta skemë, siç ka ndodhur rëndom në fshatrat e jugut, po ndodh edhe në veri, banorët po përjashtohen nga zhvillimi, po u merren pronat. Askush nuk po i dëgjon ata.
Me ligjin e investimit strategjik, me Paketën e Malave ju po u rrëmbeni pronën shqiptarëve.
Doni rast tjetër? Sapo më shkruajnë tani, fshati Gurras, buzë liqenit të Pogradecit, fshat i madh me mijëra banorë. Më thonë: Erald na ka ardhur një biznes, ka rrethuar 10 hektarë tokë, i ka marrë nga Bashkia në kuadër të Paketës së Maleve, ndërkohë që ne e dinim se i kishim toka të ndara me 7501, sepse kemi punuar 30 vjet.
Vemi në Hipotekë, thonë nuk keni gjë në Hipotekë, pavarësisht se kanë pasur vendimet e komisioneve e pronave.
I kanë marrë tokat me 7501, i kanë punuar 30 vjet, sigurisht nuk kanë shkuar ti regjistrojnë, papritur del se ka një interes të shtuar të pronës se janë afër liqenit të Pogradecit dhe Bashkia në mungesë transparence përdor Paketën e Maleve dhe u rrëmben tokën njerëzve”- tha Kapri.