Denoncimi i gazetarit: Ujin e burimit duan ta çojnë te “Green Coast”, punonjësit e Samir Manes gjakosin banorët e Dukatit

Gazteari Ferdinand Dervishi ka bërë një denoncim në rrjetet sociale, ku thotë se rojet dhe punonjësit e resortit “Green Coast”, në pronësi të biznesmenit Samir Mane, kanë rrahur dhe gjakosur banorët e zonës së Dukatit.

Sipas tij, disa roje dhe punonjës që punojnë për llogari të resortit “Green Coast” të biznesmenit Zamir Mane, në tentativë për të mundësuar marrjen e ujit nga burimi i fshatit, janë konfliktuar me banorët.

Si rezultat i konfliktit, një nga banorët, Petrit Gjoni (në foto), është goditur, gjakosur dhe dërguar në spitalin e Vlorës.

“Banorët e kanë kundërshtuar marrjen e ujit nga kompania për shkakun se ai është aq i pakët, sa nuk plotëson dot as nevojat për konsum. Sipas tyre, në sezonin e verës, ujëprurja është aq minimale, saqë ata detyrohen ta mbledhin dhe ruajnë në depozita.

Po sipas banorëve, tashmë kompania “Green Coast” e ka hapur rrugën deri te burimi, pavarësisht se punimet janë kryer në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Po sipas banorëve, Policia e Vlorës nuk i është përgjigjur thirrjeve për ndihmë, duke mbërritur në vendngjarje pas 1 ore e gjysmë nga sinjalizimi i parë. Po kështu edhe ambulanca për të plagosurin, ka ardhur pothuaj me të njëjtën vonesë”, shkruan gazetari.

Ndërkohë, policia e ka konsideruar konfliktin banal dhe ka njoftuar se ka nisur procedimin penal për shtetasin A. Q., 65 vjeç, i cili ka goditur me sende të forta Petrit Gjonin. Sipas policisë, shkak janë bërë disa tuba uji ë vendosura në pronën e shtetasit A. Q., në fshatin Dukat.

“Stacioni i Policisë Orikum referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasin A. Q., 65 vjeç, banues në Dukat, pasi ka bërë kallëzim shtetasi P. Gj., 64 vjeç, banues në Dukat, se 65-vjeçari e ka goditur me sende të forta, gjatë një konflikti për disa tuba uji të vendosura në pronën e shtetasit A. Q., në fshatin Dukat. Shtetasi P. Gj. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan prokurorive, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.