Denoncimi i fortë i Berishës: Ergys Agasin e kanë rrahur keq, e kanë shtruar në dru

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se Ergys Agasi, biznesmeni i shpallur në kërkim pas skandalit me tenderët e AKSHI-t është dhunuar 2 javë më parë.

Gjatë një konference për mediat, Berisha tha se Agasi, i cili sipas tij mbrohet nga shteti është dërguar për mjekim në një spital privat, sipas denoncimit të qytetarit dixhital në adresë të kryedemokratit.

Ndërkohë, ai tha se nuk është lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Agasin, të kërkuar nga SPAK për disa vepra penale.

“Dy individë të lidhur kokë e këmbë me krimin, me bandat dhe trafikun. Nisma Vuçiç-Rama po përfundon aty ku e ka vendin. Ka ngjallur përçmim dhe ka treguar se këta dy persona nuk kanë interesa të tjera, përveç atyre të xhepit.

Dy javë më parë Ergys Agasin e kanë rrahur shumë keq, e kanë shtruar në dru. Sipas qytetarit dixhital është dërguar në një spital privat. Por duhet të dijë një gjë Erygs Agasi, se mbrohet nga shteti.

Nuk ekziston mandat ndërkombëtar arresti për Ergys Agasin. Kurse mandati në Shqipëri është i pavlerë, sepse atë policia nuk e arreston. Ai ka hequr ministra. Këto janë zhvillime për këtë prestonome të Edi Ramës”, tha Berisha.