Drejtuesi politik i Tiranës për PD, Belind Këlliçi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme. Burime për mediat bëjnë me dije se Këlliçi ka shkuar sot në SPAK në lidhje me disa denoncime që ai ka bërë në lidhje me disa çështje, si inceneratori i Tiranës apo edhe dosja “5D”, që ka çuar në burg disa prej drejtorëve të Bashkisë Tiranë.
Këlliçi në disa dalje publike ka bërë denoncimet në lidhje me këto afera, ku ka kërkuar edhe dorëheqjen e kryebashkiakut Të Tiranës, Erion Veliaj.
Madje para Bashkisë së Tiranës, opozita po proteston prej muajsh, duke e akuzuar Veliaj si të përfshirë direkt te inceneratori apo dosja korruptive “5D”.
Po kush janë të arrestuarit për inceneratorin e Tiranës, që me urdhër të SPAK është vënë nën sekuestro?
Mes tyre është ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti i PS, Alqo Bllaku, ish-drejtori në Bashkinë Tiranë, Taulant Tushe, Namir Simirxhiu dhe Bledar Karoli.
Ndërkohë në ‘arrest shtëpie’ janë 7 të tjerë, konkretisht Etleva Kondi, Valbona Ballgjini, Alba Thoma, Sidita Kopliku, Silena Toma, Pëllumb Abeshi dhe Jetmir Llapaj. Ndërkaq, të akuzuarit Erjon Murataj dhe biznesmenët, pronarë të koncesionarit “Integrated Energy B.V SPV” Klodian Zoto e Mirel Mërtiri, janë në kërkim.
Sipas hetimeve të SPAK, Zoto dhe Mërtiri, përdorën persona dhe shoqëri të tjera për të fshehur gjurmët si pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës. Dy biznesmenët, përfituan përmes faturave tatimore të falsifikuara, 409 milionë lekë, thotë SPAK, dhe akuzon 7 anëtarët e komisionit të dhënies se Koncesionit se i kanë favorizuar, bashkë me Lefter Kokën e Alqi Bllakon, që ndodhen në qeli edhe për inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.
Sa i takon dosjes “5D”, me urdhër të SPAK u arrestuan Redi Molla, ish-Drejtor i Ujësjellës Kanalizime në Bashkinë Tiranë, Mariglen Qato, ish-Drejtor Inspektoriatit së Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Tiranë, të akuzuar për: korrupsion pasiv, mosdeklarim pasurie dhe më vonë prokurori i çështjes u shtoi edhe akuzen e pastrimit të parave.
Masa “arrest me burg” u dha edhe për Taulant Tushe, ish- Drejtor i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, i cili ndodhej në burg për inceneratorin. Ndërkohë masa sigurie u dhanë edhe për disa persona të tjerë, konkretisht Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Deborah Keçi dhe Englatina Zere.
Kompania “5D”, që zotërohej nga Qato dhe Molla ka përfituar miliona euro fonde publike dhe disa leje ndërtimi me vetë firmën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.