Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka uruar kryeministrin Rama dhe kabinetin qeveritar për marrjen e detyrës.
Në një postim në rrjetet sociale, delegacioni i BE thekson rëndësinë e zbatimit të reformave të nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, që Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027.
“Urime Kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë ministrave për marrjen e detyrës. Me një përpjekje të qëndrueshme për të miratuar dhe zbatuar reformat e nevojshme përmes proceseve transparente dhe gjithëpërfshirëse, Shqipëria mund të arrijë objektivin ambicioz për të mbyllur negociatat e anëtarësimit në BE deri në fund të vitit 2027. Ne pritje për të punuar me të gjithë aktorët shqiptarë për të arritur këtë moment historik, në të mirë të qytetarëve shqiptarë”, shkruan delegacioni i BE në Shqipëri.
Shqipëria hapi 4 grup-kapituj të tjerë me BE disa ditë më parë, teksa synohet që deri në fund të vitit të jenë hapur të gjithë kapitujt.
Por puna më e vështirë është mbyllja e tyre, pasi duhen reforma të rëndësishme dhe një bashkëpunim i madh me opozitën, në mënyrë që Shqipëria të jetë më afër anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kujtojmë se qeveria e re “Rama 4” nuk kishte ndryshime të rëndësishme, pasi disa prej ministrave mbajtën postet e tyre, ndërsa të tjerë zëvendësuan njëri-tjetrin.