Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka sulmuar sot Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, pasi kjo e fundit pak ditë më parë deklaroi se zgjedhjet në Shqiupëri ishin të lira.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha tha se Komisionerja Kos është frymëzuar nga propaganda e kryeministrit Edi Rama duke shtuar se deklarata e saj shkel rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve dhe ligjin kombëtar.
Berisha shkoi më tej duke e cilësuar Marta Kos si “një adhuruese pa kushte e Edi Ramës dhe bëmave e gjëmave të tij”.
“PD pas deklaratës së zonjës Marta Kos bëri një deklaratë të cilën ajo e dënoi publikisht dhe gjerësisht, deklaratën e frymëzuar të zonjës Kos nga propaganda e paguar e Edi Ramës, ekstremizmi politik i majtë, si një deklaratë që shkel rëndë ligjin ndërkombëtar të vlerësimit të zgjedhjeve dhe ligjin kombëtar.
Ajo që lexova është se ka pasur një reagim nga ana e zëdhënësit të KIE, i cili shpreh qëndrimin e KIE-së të papajtueshëm me qëndrimin e Marta Kos, një adhuruese pa kushte e Edi Ramës dhe bëmave e gjëmave të tij. Falenderoj Komisionin për reagimin dhe garantoj se PD mbetet e përkushtuar si e ardhmja më e shkëlqyer për shqiptarët,”- u shpreh Berisha mes të tjerash.
Berisha sulmoi po ashtu edhe ambasadorin e BE në Tiranë, Silvio Gonzato për të cilin tha është një ‘përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur.’
“Opozita ndodhet para disa sulmeve të targetuara të individëve të caktuar që janë në Komisionin Europian ose që përfaqësojnë në Shqipëri, Bashkimin Europian.
Të ngjashme, por jo identike me qëndrimet e zonjës Kos janë qëndrimet e ambasadorit Gonzato, i cili është një përçues i propagandës së paguar të Edi Ramës dhe i dezinformimit të papërmbajtur.
Lidhur me këtë të fundit, unë u kam informuar ju se ky zotëri, për të përcjellë propagandën e Edi Ramës, u thotë deputetëve të Parlamentit Europian se kryetari i PD nuk është pro-perëndimor pasi axhenda e tij është MAGA dhe jo integrimi.
Ky është një trillim, një mashtrim, e kam dënuar njëherë dhe e dënoj prapë.
PD ka qenë dhe mbetet absolutisht e përkushtuar në procesin e integrimit”- u shpreh Berisha.