Vijon debati në distancë mes kryeministrit Rama dhe shoqatave të magjistratëve, për rritjen e pagave të këtyre të fundit, një kërkesë që po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese.
Pas reagimit të Shoqatës së Prokurorëve, e cila kërkonte që të mos përdoren retorika që synojnë të kthejnë opinionin publik kundër magjistratëve, siç po bën vazhdimisht kryeministri Rama, tashmë ka ardhur edhe përgjigja e këtij të fundit nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”.
Rama thotë se ndryshe nga ajo që po supozohet, nuk ka asnjë ulje page për magjistratët, por këta të fundit duan t’i rrisin pagat sa duan vetë. Sipas tij, vëmendja e qeverisë për pushtetin gjyqësor është shumë e madhe, sa po punohet për ndërtimin e një Poli Drejtësie.
Por Rama nuk ndalet vetëm te pagat, pasi i rikthehet sërish burgosjeve pa gjyq, që sipas tij është një praktikë që e ka njollosur Shqipërinë botërisht dhe duke e kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës.
Sigurisht që ky shqetësim i fundit që ngre Rama nuk është për qytetarët, por për Belinda Ballukun dhe Erion Veliajn, të cilëve SPAK u ka zbuluar korrupsionin që bënin prej vitesh duke shpërdoruar e grabitur paratë e qytetarëve.
Postimi i Ramës:
Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!! Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!
A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi? Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!! Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!! Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë! Absurditet total pra, sepse jo vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve! Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!
Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re: Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!