Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, është përfshirë në debatin që shkaktoi polemika në shtetin fqinj, pas “përplasjes” mes kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe gazetarit John Defterios në Abu Dabi.
Gjatë samitit në Abu Dabi, Rama iu drejtua gazetarit Defterios duke i thënë “mendoni se jeni pasardhës i Platonit dhe Aristotelit, por nuk jeni“, pasi ky i fundit kishte shqiptuar gabim emrin e kryeministrit shqiptar dhe atij malazez, Milojko Spajiç.
Mitsotakis tha se Rama tha një gjë të gabuar, por sipas tij e kuptoi mënjëherë duke e korrigjuar.
“E njoh shumë mirë zotin Rama, ka një mënyrë të veçantë të të shprehurit dhe shpesh i shpëtojnë gjëra që nuk duhej t’i thoshte. Këtë herë tha një të gabuar dhe e kuptoi gabimin e tij. Mbaj në konsideratë korrigjimin; ishte një deklaratë e pafat, më mirë ta lëmë pas”, u shpreh Mitsotakis.
Kryeministri Edi Rama reagoi dje pas lajmeve në mediat greke duke thënë se është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist.