Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj ka deklaruar se Shqipëria që është sot nuk është më ajo e viteve 1990 falë punës që kanë bërë sipërmarrësit, duke marrë përsipër rrisqet për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.
Në një debat me analistin Andi Bushati, në emisionin Të Paekspozuarit, me Ylli Rakpin, kreu i Mundësia u shpreh se qytetarët që kanë punuar në mënyrë të ndershme me bizneset e tyre, ia kanë dalë që të ngrenë Shqipërinë në tjetër nivel nga vitet në të cilat doli nga rrëzimi i diktaturës komuniste.
Debati nisi lidhur me propozimin e Partisë Mundësia, për taksa më të ulëta për bizneset dhe sipërmarrësit, për t’i hequr shtetin nga kurrizi sepse duan të punojnë dhe t’ja dalin me punë të ndershme.
Sipas Shehajt, ata që kanë vjedhur qytetarët shqiptarë prej vitesh janë hajdutët e pushtetit dhe jo sipërmarrësit e ndershëm.
Debati:
Andi Bushati: Taksat e ulëta që propozoni ju në një vend ku disa janë pasuruar në kurriz të të tjerëve që nga koha e Saliut 2 deri tek Rama 4, është për të siguruar dhe garantuar nëse ju vini në pushtet, ata që na kanë vjedhur për 12 vjet.
Agron Shehaj: Kush të ka vjedhur, sipërmarrësit të kanë vjedhur? Po jo more se e ke gabim, të kanë vjedhur hajdutët jo sipërmarrësit. Shqipëria është plot me sipërmarrës. O Andi, jeton në një Shqipëri shumë më të mirë se ajo e 91-shit. Venë në restorante më të mira, venë në hotele më të mira, Ke shërbime më të mira, Andi, duhet ti falenderosh ata sipërmarrësit që kanë marrë mundimin, kanë marrë riskun, ata nuk janë hajdutë, po ngatërron hajdutët e pushtetit me sipërmarrësit e ndershëm. Nëse ti nuk ha më bukën e zezë të 91-shit, por kur vete te furra e bukës zgjedh, ai është zhvillim falë sipërmarrësve, Andi, dhe mos i quaj hajdutë se nuk janë hajdutë, janë njerëz që punojnë që e kanë ngritur Shqipërinë nga ajo që pe ti dhe unë në 91-shin në atë që është sot. Mos i quaj hajdutë, jo mor jo mos i quaj hajdutë se aq pak sa është bërë e kanë bërë ata dhe mos i quaj hajdutë se e kanë bërë ata Andi, e kanë bërë ata me punë mos i quaj hajdutë, mos i quaj hajdutë o Andi. Mos i quaj hajdutë se janë punëtorë.