Marian Tepa është shqiptari që vrau bashkatdhetarin e tij, Artan Kaja në Lunata të Italisë. Viktima u gjet i pajetë më datë 7 janar, në atë që u cilësua fillimisht si një aksident në punë, por hetimet treguan se ishte një vrasje e kryer me armë zjarri.
Trupi i pajetë i Artan Kajës, i njohur si Toni, u gjet nga bashkëshortja e tij pranë një magazine të kompanisë së tij të vogël për transport automjetesh. Gruaja e kishte telefonuar disa herë 52 vjeçarin dhe kur pa se nuk po i përgjigjej, shkoi në biznesin e tij ku e gjeti të vdekur.
Gjatë deklaratave, autori që u vetëdorëzua pranoi se e kishte pritur Artanin në një zonë të izoluar të fabrikës dhe e kishte qëlluar për vdekje pas një debati të ashpër për çështje pune.
Hetuesit bëjnë me dije se disa javë më parë, viktima dhe autori kishin pasur një konflikt të ashpër, i cili dyshohet se mund të ketë qenë shkaku kryesor i krimit. Megjithatë, Tepa nuk ka ofruar detaje të mëtejshme mbi motivet specifike dhe arma e krimit ende nuk është gjetur.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes, për të siguruar prova shtesë dhe për të gjetur armën e përdorur. Ndërkohë, autori i dyshuar mbetet në paraburgim në burgun “San Giorgio” në Lucca.