“Lufta e ftohtë” midis Edi Ramës dhe Albin Kurtit ka arritur kulmin ditët e fundit, pasi ky i fundit nuk pranoi ta takonte gjatë vizitës së kryeministrit shqiptar në Kosovë.
Rama u përpoq “t’i mbushte mendjen” Kurtit duke i përmendur edhe Kanunin, por nuk pati sukses. Albini “nuk ia fali” anulimin e mbledhjes së përbashkët në Kosovë më 14 qershor, në një ditë kur vendi i tij po përballej me sfidë të madhe në raport me ndërkombëtarët.
Refuzimi nga Kurti e zemëroi më tepër Ramën, i cili nuk i ndali kunjat ndaj tij, ndërsa tha se s’ka asgjë personale , madje e quan njeri atraktiv por e cilësoi si marksist.
Kryeministri shqiptar madje tha se i dërgon shpesh mesazhe në Whatsapp Kurtit, por ky i fundit ia le “seen”.
Por ku e ka zanafillën kjo marrëdhënie dashuri-urrejtje mes Ramës dhe Albin Kurtit?
Në 2018, kur Albin Kurti ishte në opozitë, Rama mbështeti idenë për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti, si edhe liderë të tjerë në Kosovë e kritikuan Ramën për mbajtjen e këtyre qëndrimeve. Po atë vit, Kurti mbështeti protestat e studentëve të universiteteve publike në Shqipëri, që kundërshtonin tarifat e larta të shkollimit dhe kërkonin cilësi më të lartë në arsim.
Më vonë në 2019 para se Kurti të zgjidhej si kryeministër, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut miratuan atë që u riemërua si “Ballkan i Hapur”.
Kurti e kundërshtoi nismën, duke thënë se Rama ka bërë gabim në hapa. Sipas tij, nisma do të duhej të ishte e Kosovës dhe Shqipërisë, për të përfshirë më pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, e krejt në fund edhe Serbinë.
Pas takimeve zyrtare që ai mbante me kryeministrin Rama, mediat në Kosovë shkruanin se Albini darkonte me “kundërshtarët” e tij , duke publikuar foto të Kurtit me gazetarët kritikë ndaj Ramës në Shqipëri.
Edhe në urimin që Rama i bëri Kurtit kur ai u zgjodh kryeministër i Kosovës, nuk e cilësoi atë “fitues” por e uroi që kishte marrë “rezultatin më të mirë”, ndërsa përgëzoi kundërshtarin e tij që pranoi rezultatin.
Dy vite më vonë, më 25 prill 2021, partia e Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, garoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri, por mandatin e tretë si kryeministër i Shqipërisë e fitoi Rama.
Kjo sigurisht nuk i pëlqeu Ramës që përpiqej të shfrytëzonte çdo rast për të treguar se ishte “superior” ndaj Kurtit. Në mbledhjen e Partive Socialiste në Berlin në 2022 Rama vuri në siklet Albinin duke i mbyllur sytë nga mbrapa, ndërkohë që ai ishte bërë flakë i kuq. Megjithatë raporti mes tyre u duk sikur nuk ishte aq i tensionuar pasi Albini e prezantoi në atë mbledhje me miq të tij të vjetër.
Vetvendosja nuk paraqiti asnjë kërkesë për regjistrim në zgjedhjet lokale të 14 majit në Shqipëri, edhe sepse nuk pati mbështetjen e madhe që pretendonte. Drejtuesit e saj në Tiranë thonë se në fakt se ata nuk kanë qenë kurrë parti. Pra nuk kanë synuar kurrë të marrin pushtet politik në Shqipëri.
Kulmi i “luftës së ftohtë” mes dy kryeministrave
Dy muajt e fundit tensionet në veri të Kosovës u rritën shumë, pas bojkotit të serbëve për të marrë pjesë në zgjedhje dhe futjen në zyra të kryetarëve të zgjedhur të komunave në veri, me urdhër të Albin Kurtit.
Rama doli hapur kundër Kurtit ndërsa përgatiti një draft për asociacionin e komunave serbe dhe u radhit me vendet e BE të cilat morën “masa ndëshkuese”. Madje ai u bë i pari që “ndëshkoi” qeverinë e Kosovës duke anuluar mbledhjen e planifikuar mes tyre. Në Prishtinë nuk e mblodhën tapetin e kuq deri pas orarit të caktuar më herët, ndërsa vendimi i Ramës për të mos shkuar shkaktoi zhgënjim në Kosovë. Në rrjetet sociale madje pati disa nisma që nxisnin braktisjen e bregdetit shqiptar për pushimet verore.
Konflikti dhe xhelozia midis dy kryeministrave duket se i ka rrënjët shumë të thella dhe inati i tyre nuk është vetëm për shkak të bindjeve të ndryshme mbi një çështje të caktuar. Të dy pretendojnë të jenë lider të shqiptarizmit dhe të fitojnë admirimin e shqiptarëve të të dy shteteve.
Të dy janë kryetarë të partive të majta por vetëm Kurti është parimor ndaj idealeve të tyre, ndërsa për kryeministrin shqiptar nuk mund të thuhet e njëjta gjë. Kurti ka një papajtueshmëri të dukshme ndaj oligarkisë financiare, ndërsa Rama është akuzuar gjithmonë se i mbështet ata. Kurti ka kurajon t’i thotë “jo” recetave të gatshme që sugjerojnë ndërkombëtarët ( ndonjëherë të ofruara edhe me arrogance), ndërsa Rama është besnik i formulave të gatshme, duke menduar gjithmonë për pasojat, por kjo është çështje tjetër.
Albini konsiderohet idealist e për këtë e akuzojnë shpesh se nuk jeton fare në realitetin e sotëm, ndërsa Rama është një “kameleon” që u përshtatet situatave duke ndryshuar dhe u përshtatur përtej idealeve.
Ama të dy e duan protagonizmin pavarësisht se politikën e bëjnë në mënyra të ndryshme.
Të gjithë këto ndryshime që i karakterizojnë duket se janë ato që i ndajnë dy kryeministrat por që së fundmi kanë ndarë edhe vëllazërinë Kosovë-Shqipëri. Zhvillimit e fundit nuk i bëjnë aspak krenarë shqiptarët por le të shpresojmë që ky hendek me pjesën tjetër të kombit të jetë një thyerje e riparueshme në të ardhmen.