Dash Shehi sulmon Berishën: Mbylli listat, i ra me shkelm alternativës opozitare

Pas largimit nga koalicioni me Partinë Demokratike, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka hedhur akuza në drejtim të kryedemokratit Sali Berisha.

Ai e akuzoi Berishën se bëri marrëveshje me Edi Ramën për të mos hapur listat e kandidatëve për deputetë, duke i rënë me shkelm alternativës opozitare.

Sipas tij, hapja e listave do t’i jepte opozitës fitoren në zgjedhjet e 11 Majit, teksa shtoi se kryedemokrati nuk duhet të jetë në krye të PD-së, pasi kjo parti ka shpenzuar shumë energji duke e mbrojtur atë.

“Do të ishte më mirë po të mos ishte Berisha në krye të PD. PD nuk do të kishte këtë ngarkesë që ka tani. PD ka harxhuar energji për të mbrojtur Berishën. Projekti politik ka qenë rreth këtij personi. Është nisur me idenë McGonigali me fustan dhe të tjerat. Është devijuar gjatë gjithë kësaj kohë në këtë punë.

Është sajuar vazhdimisht nga një objektiv i afërt për t’i mbajtur bashkë grupin pa një projekt politik. U bë lista e mbyllur, kjo është t’i biesh me shkelm alternativës opozitare. Me listë të hapur opozita fitonte. Kishim mudësi të mobilizonim qindra djem e vajza lart e poshtë Shqipërisë”, tha Shehi në A2CNN.