“Daniel Shima di shumë”, gazetarja jep detaje mbi ‘zhdukjen’ e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t: Kohët e fundit kishte marrë para me fajde

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje në lidhje me zhdukjen për disa orë të ish-zv.drejtorit të AKSHI-t. Daniel Shima.

Gjatë një interviste, Lala thotë se e gjithë kjo çështje do një hetim të thelluar dhe se nuk bëhet fjalë për një largim me dëshirë, siç Shima ka deklaruar në polici.

Sipas gazetares, Daniel Shima di shumë, lidhur me detyrën e rëndësishme që ka pasur ndërsa shtoi se kohët e fundit kishte marrë para me fajde.

Klodiana Lala: Daniel Shima konsiderohej si truri kryesor i AKSHI. Kontaktin e fundit Shima e ka pasur me partneren. Ai ka qenë në Borsh, gjatë kohës së kthimit kishte blere vezë. Dje ka shkuar tek shtëpia e gjyshes. Partneres i ka dërguar vetëm një mesazh që po më arrestojnë. Nga ky moment është dhënë alerti. Por, kamerat e sigurisë e tregojnë edhe në Tiranë, deri tek Tuneli i Elbasanit. Ai ka thënë se ka pasur konflikt me partneren. Unë nuk e shikoj kështu, por besoj se çështja ka nevojë për hetim të thelluar. Policia duhet të sqarojë se Shima, pasi iku nga Tirana, kë takoi në Borsh dhe Shijak, pse e dërgoi atë mesazh se do më arrestojnë.

Daniel Shima di shumë. Nëse ai flet, shumë hetime mund të zhvillohen. Nuk besoj se ka qenë ikje me dëshirë. Duhet ditur nëse ai është kërcënuar dhe për të heshtur, a ka nevojë ai për mbrojtje dhe mos ka nevojë të flasë për atë që ka ndodhur në AKSHI. Kohët e fundit kishte kërkuar para me fajde. Kësaj çështje duhet t’i shkojë deri në fund policia. Ndoshta ka njerëz që janë të interesuar që ai të heshtë.