Ish-drejtoresha e IKMT-së Dallëndyshe Bici është thirrur sot në SPAK ku ka qëndruar për më shumë se 2 orë.
Burime bëjnë më dije se Bici është thirrur si person në dijeni në lidhje me dosjen e AKSHI-t, edhe pse emri i saj nuk është në dosje.
Ajo u paraqit rreth orës 10:00 të kësaj të marte në Prokurorinë e Posaçme, ndërsa nuk shoqërohej nga asnjë avokat. Pasi doli nga ambientet e SPAK ajo u largua pa dhënë asnjë komunikim për gazetarët.
Burime bëjnë me dije se Bici u pyet lidhur me procedurat e legalizimit dhe regjistrimit të një vile ne periferi të Tiranës, në emër të Ergys Agasit, biznesmenit të shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, së bashku me biznesmenin, Ermal Beqiri.
Kujtojmë se Dallëndyshe Bici u shkarkua nga posti i kryeinspektores së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit në janar të këtij viti.
Ajo mbante këtë post prej 18 muajsh, kur u emërua në muajin korrik të 2024. Më pas në krye të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit u emërua Adriatik Kupi. Ai ka qenë administrator i Njësisë së Petrelës në Tiranë dhe më vonë drejtor i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes.