Cilët ishin tatuazhistët e vërtetë të Aushvicit, që i kthyen të burgosurit në numra?

Nga Roger Moorhouse “BBC”

Aushvic:kampi më i madh i përqendrimit në Luftën e Dytë Botërore, ku më shumë se 1 milion njerëz u vranë gjatë Holokaustit. Ky është edhe mjedisi ku zhvillohen ngjarjet e një filmi dramatik me 6 seri po transmetohet në Sky Atlantic në Britaninë e Madhe që nga fillimi i këtij muaji.

Ai bazohet në romanin e vitit 2018 “Tatuazhisti i Aushvicit” të shkrimtares australiane Hedhër Morris. Lale Sokolov (luajtur në film nga Xhonah Hauer-King), një hebre sllovak i dërguar në Aushvic në vitin 1942, detyrohet që t’u bëjë tatuazh të ardhurve të rinj në kamp numrin e regjistrimit në krahët e tyre.

Kur ai takon një të burgosur të re të quajtur Gita (luajtur nga Ana Proshniak), bie në dashuri me të, dhe kështu i ofrohet një dritë shprese në këtë vend të pashpresë. Tatuazhet ishin jo vetëm ekskluzive për kampin e Aushvicit, por edhe protagonisti i serialit dramatik, Lale Sokolov, ishte një person real.

A kishte vërtet një tatuazhist në Aushvic?

Në fakt ishin disa të tillë. Që nga mesi i Luftës së Dytë Botërore, në Aushvic ishte shndërruar në një procedurë standarde identifikimi i të burgosurve të rinj që ishin përzgjedhur për punë, duke u bërë tatuazh në krah numri i identifikimit të tyre në kamp.

Logjika ishte se kufomat e të burgosurve të vdekur, të cilëve ndonjëherë u hiqeshin edhe rrobat, duhej të ishin të identifikueshëm për të garantuar që të dhënat e kampit të mund të mbaheshin në mënyrë të saktë.

A ishin të gjithë të burgosurit në Aushvic me tatuazhe?

Në fillim, SS u bënte tatuazhe në krah vetëm të robërve sovjetikë të luftës, atyre që ishin shtruar të sëmurë në infermieri apo që ishin planifikuar tashmë të ekzekutoheshin. Por  zgjerimi i Aushvicit në vitin 1942, bëri që kjo praktikë të zgjerohej për të përfshirë të gjithë të burgosurit që zgjidheshin për të punuar në kamp.

Ata që u shfarosën menjëherë pas mbërritjes nuk u regjistruan, ndaj nuk kishte nevojë që t’u bëheshin tatuazhe në trup. Në fazën e hershme, të burgosurve iu bëhej tatuazh në anën e majtë të gjoksit duke përdorur një formë vule metalike, e cila mund të ndryshohej për të bërë numra të ndryshëm.

Ajo do të ngjitej me forcë pas lëkurës së të burgosurit, përpara se mbi plagë të fërkohej bojë, gjë që do të sillte një tatuazh jo shumë të qartë dhe cilësor. Kjo metodë u konsiderua jopraktike, kur u rrit ndjeshëm numri i personave të regjistruar në kamp. Ndaj nisi të përdorej një pajisje me një gjilpërë, me të cilën numri serial mund të bëhej tatuazh në pjesën e jashtme të parakrahut të majtë.

Ky proces nuk u zhvillua në kampet e tjera të përqendrimit, por vetëm në Aushvic. Në përgjithësi ata që u shenjuan me tatuazhe ishin hebrenjtë. Megjithatë, kësaj procedure iu nënshtruan edhe të burgosurit e tjerë, siç ishin romët dhe disa polakë. Në total, u bënë tatuazh rreth 400.000 numra regjistrimi.

Po kush ishin tatuazhistët e Aushvicit?

Pak gjëra dihen mbi vetë tatuazhistët, përveç faktit që ata ishin pjesë e një grupimi të vogël të burgosurish që punonin drejtpërdrejt për njësinë SS në zyrën e regjistrimit. Ata mund të thirreshin në çdo kohë për të kryer detyrën e tyre. Duke pasur racione ushqimore dhe pagesa shtesë, ata arritën të shmangin nga disa nga tmerret më të mëdha të këtij kampi famëkeq.

A ishte Lale Sokolov një person real?

Lale Sokolov (dikur Ludvig Ajzenberg), personazhi në qendër të romanit të Hedhër Morris, ishte një nga tatuazhistët e Aushvicit. Edhe pse libri është kritikuar nga historianët për trajtimin shumë mizor që i bën kësaj teme, Sokolov ishte një i burgosur i vërtetë në atë kamp.

Me të mbërritur në vitin 1942, atij iu bë në krah tatuazh me numrin 32407. Më vonë, në vitin 1943, pasi sëmur dhe shërua nga tifoja, Sokolov u angazhua nga SS si tatuazhist, dhe e mbajti këtë rol për pjesën e mbetur të kohës që kaloi në Aushvic. Të dhënat e kampit, tregojnë se ai punoi për departamentin e regjistrimit të paktën deri në fundin e shtatorit 1944.

Me afrimin e fundit të luftës dhe me përparimin e Ushtrisë së Kuqe, ai u zhvendos bashkë më të tjerët në fillim të janarit 1945 dhe u dërgua në Mutauzen, nga ku arriti të arratisej. Sokolov i mbijetoi luftës, dhe më vonë emigroi në Australi, ku edhe do të intervistohej nga Morris.

Ky takim është pjesë e dramës së re televizive, me Sokolovin më të moshuar të portretizuar nga aktori Harvi Kaitel. Vetëm në vitet e tij të fundit para vdekjes së tij, në vitin 2006, ai ishte në gjendje të fliste mbi përvojën e tij në Aushvic.

Shënim:Roger Moorhouse, historian i specializuar në historinë moderne gjermane dhe të Evropës Qendrore, veçanërisht mbi Gjermaninë naziste dhe Poloninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.