Cheapeau, Altin Dumani

Pas tre vitesh në krye të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani mbyll mandatin e tij duke lënë pas një prej periudhave më dinamike dhe më të forta të luftës ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri.

Në një kohë kur besimi te drejtësia shpesh ka qenë i lëkundur, figura e tij u bë sinonim i këmbënguljes, integritetit dhe vendosmërisë për t’i shkuar së vërtetës deri në fund, pavarësisht emrit apo pozicionit që kishte përballë.

Altin Dumani mori drejtimin e SPAK në një moment delikat, ku pritshmëritë publike ishin të larta dhe skepticizmi i trashëguar nga dekada abuzimesh ishte i thellë.

Nën drejtimin e tij, SPAK hapi dhe çoi përpara një numër rekord dosjesh që preknin nivelet më të larta të administratës dhe politikës shqiptare. Arrestime zyrtarësh të lartë, hetime për abuzime masive me tendera, goditje grupeve të strukturuara kriminale, të gjitha këto e shënuan periudhën “Dumani” si një moment të kthesës në ligjshmërinë e vendit.

Për herë të parë, shqiptarët panë se “askush nuk është mbi ligjin” nuk ishte më thjesht një slogan europian, por një realitet që po merrte formë.

Dumani nuk zgjodhi asnjëherë protagonizmin, por iu dha roli kryesor sepse puna e tij fliste vetë. I matur, i drejtpërdrejtë dhe larg çdo ndikimi politik, ai u perceptua si një drejtues që riktheu besimin e shqiptarëve te drejtësia.

Ai nuk hyri në polemika me asnjë e as nuk u tërhoq kur dosjet prekën njerëz me pushtet, ndikim apo aleanca të forta politike. Kjo e bëri figurën e tij të fitonte respekt edhe nga ata që mund të mos pajtoheshin me vendimet e tij.

Në tri vite, SPAK u konsolidua si institucioni më i rëndësishëm i luftës kundër korrupsionit në vend. U rritën hetimet, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe konfiskimet e pasurive të paligjshme.

Por mbi të gjitha, u rrit besimi, ndoshta gjëja më e vështirë për t’u fituar. Publiku, për herë të parë pas shumë vitesh, pa se dera e drejtësisë nuk hapet vetëm për të dobëtit, por edhe për të fuqishmit.

Altin Dumani largohet jo për shkak presionesh, jo për shkak dështimesh, por sepse i mbaroi mandati. Megjithatë, ndikimi i tij nuk mbaron sot, pasi do të vijojë të jetë pjesë e Strukturës së Posaçme.

Ai la pas një SPAK që nuk është më një eksperiment i ri drejtësie, por një mekanizëm i konsoliduar që ka treguar se mund dhe duhet të shkojë deri në fund. Në një vend ku shpesh herë drejtësia ka mbyllur sytë, Altin Dumani zgjodhi t’i hapë ata dhe t’i mbajë hapur, edhe kur ishte më e vështirë.

Puna e tij i dha Shqipërisë një frymëmarrje të re në luftën kundër korrupsionit dhe i tregoi shoqërisë se ndryshimi është i mundur kur drejtësia ka guxim.

Dhe për këtë, i takon vetëm një fjalë:

Cheapeau, Altin Dumani!