Çfarë po ndodh me konteinerët e mbetjeve? Përse po vonohet përgjigja e analizave?

Rreth 1 muaj më parë, anija “Moliva” në të cilën dyshohet se ka mbetje të rrezikshme është kthyer në Shqipëri, ku u ankorua në Portin e Durrësit pas shumë ditësh qëndrimi në det për shkak se autoritetet nuk merrnin përsipër ankorimin e saj.

Autoritetet portuale shkarkuan konteinerët dhe më pas i zhvendosën në Porto Romano, në vendin e posaçëm që u përgatit për sistemimin e tyre, pasi Prokuroria e Durrësit urdhëroi sekuestrimin e të 102 konteinierëve.

Lexo edhe: Prokuroria e Durrësit vendos sekuestrimin e kontenierëve me mbetje toksike që u rikthyen nga Tajlanda: Të groposen dhe të vëzhgohen 24 orë me kamera

Por, kur kanë kaluar mbi 20 ditë nga shkarkimi i konteinerëve, ende nuk ka një përgjigje të qartë se çfarë mbetjesh ka në ato ngarkesa. Opozita ka akuzuar qeverinë se është e përfshirë në trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike, por këto akuza u hodhën poshtë nga ministrat.

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka hedhur dyshime se këto mbetje toksike mund të groposen në fshehtësi, duke sjellë rrezik serioz për shëndetin e qytetarëve.

“Është e domosdoshme një hetim ndërkombëtar që të zbardhi këtë aferë dhe të kuptojmë se çfarë mbetjesh toksike ka në këta konteinerë dhe të zbulojmë dhe të gjejmë mënyrën më të mirë për të asgjesuar këto mbetje. Nuk mund të lejojmë që kjo aferë mos të hetohet, nuk mund të lejojmë që këto mbetje toksike të groposen diku nëpër Shqipëri dhe askush mos të marri vesh se çfarë është bërë me to dhe shëndeti i qytetarëve të vihet në rrezik”, thotë Shehaj.

Lexo edhe: Shehaj kërkon hetim ndërkombëtar për mbetjet toksike: Do të groposen, në rrezik shëndeti i qytetarëve

Ndërkohë, në një deklaratë të mëparshme, Drejtori i rrjetit të Bazelit, Jim Pocket, foli nga Durrësi për anijen me mbetje industriale që ishte nisur drejt Tajlandës, por që u kthye nga rruga për shkak të dyshimeve për mbetje të dëmshme.

Pocket tha se kanë shkuar te fabrika në Tajlandë dhe e kanë parë atje, ndërsa shton se ekzaminimet tregojnë se është gjetur mbetje toksike të rrezikshme, si arsenik dhe plumb.

“Jemi këtu me rastin  arritjes së anijes me mbetej toksike me 102 kontejnerë. Presim që anija Moliva të arrijë prapa krahëve tonë dhe të ankorohet pasdite. Do të vinte sot në mëngjes në orën 8, por është kërkuar nga autoritetet të mbahet një km larg bregut. Kemi informacion që kemi kërkuar që kapiteni të vijë dhe të qëndrojë në pritje.

Shpresojmë që hapja e kontejnerëve të bëhet nën mbikëqyrje të rreptë dhe në transparencë me publikun.

Ka patur shumë polemika për këtë dërgesë. Disa thonë që nuk ka mbetje toksike, por jemi 90% të sigurt se ka mbetje toksike. Presim një analizë të plotë nga organet kompetente. Jam 100% i sigurt se kjo ngarkesë nuk duhej të transportohej në Tajlandë. Kemi shkuar te fabrika në Tajlandë dhe e kemi parë atje. Kemi bërë ekzaminimet tonë dhe kemi gjetur mbetje toksike të rrezikshme, arsenik dhe plumb.

Besojmë se e ka origjinën nga kompania e çelikut e vendosur në Elbasan prandaj janë bërë gjithë vëzhgimet  e nevojshme”, tha Pocket.

Lexo edhe: Anija me lëndë kimike, flet drejtori i Rrjetit të Bazelit: Kemi bërë ekzaminimet tona, janë gjetur lëndë të rrezikshme

Por, në një vend ku skandalet mbulojnë njëri tjetrin, çështja e 102 konteinerëve duket sikur është harruar, pasi askush nuk ka pyetur më se çfarë përmbajnë ato ngarkesa, apo se kur do të dalin përgjigjet e analizave të kryera nga autoritetet.