Qytetarët shqiptarë çdo ditë e më shumë janë të pasigurt mbi produktet që ata konsumojnë. Dy ditë më parë u bë publik lajmi se 52 kg luleshtrydhe me pesticide ishin shitur në treg. Liuleshtrydhet ishin importuar nga Greqia dhe e gjithë sasia nuk ishte më në treg, por ishte shitur nga konsumatorët. Lajmi u konfirmua edhe nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Ky i fundit ka qenë në qendër të kritikave për shkak të skandaleve që kanë përfshirë për shkak të disa rasteve.
Më i fundit ishte mishi i pulës me salmonelë, i importuar nga Brazili. Një sasi prej 8 tonë me fileto pule u hodh në treg për konsum për qytetarët shqiptarë duke vënë në rrezik shëndetin e tyre.
Edhe pse sasia e mishit me salmonelë u bllokua në Portin e Durrësit, kompania qe e importoi nga Brazili AMG Food nuk priti përgjigjen e analizave, por e hodhi në treg.
Lidhur me rastin nisën hetimet edhe për 3 punonjës të AKU, Gezim Hushi, Sada Lufta dhe Aldo Sinjari, pasi me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të mishit të pulës, që është konsumuar nga qytetarët shqiptarë.
Por një tjetër skandal që lidhet me sigurinë ushqimore ndodhi pak muaj më parë ku 21 tonë me mandarina me pesticide në vend që të asgjësoheshin u hodhën në treg për konsumim.
Mandarinat pasi u kthyen nga Kroacia për shkak të persiticedeve, nuk u asgjësuan, por janë blerë nga fermerët e qarkut Berat dhe Sarandë dhe më pas janë hedhur në treg.
Këto janë vetëm tre rastet e fundit, por ditë pas ditë shohim denoncime nga qytetarët mbi produkte të skaduara në supermarkete, të cilat nuk hiqen, por u shiten qytetarëve.
Siguria ushqimore vijon të jetë një prej problemeve që shqetësojnë më së shumti konsumatorëve shqiptarë në vitet e fundit. Mbetet një prej sfidave më të mëdha me të cilën ndeshen konsumatorët dhe autoritetet përgjegjëse, të cilat në shumë raste kanë dështuar.