Sipas legjendës, në vitin 1881 anija “Ellen Austin” po lundronte nga Liverpuli i Britanisë së Madhe për në Shtetet e Bashkuara, kur në një moment u ndesh me një anije të braktisur. Duke synuar të shpëtonte anijen dhe ngarkesën, kapiteni dërgoi në bordin e saj një grup të vogël njerëzish nga ekuipazhi.
Por gjatë natës, anijet u ndanë dhe në mëngjes, kapiteni e pa anijen sërish të braktisur, por pa asnjë gjurmë të njerëzve të tij. Kjo ishte vetëm një nga historitë e shumta të çuditshme që vjen nga pjesa e oqeanit të njohur si Trekëndëshi i Bermudës.
Legjenda e Trekëndëshit të Bermudës, e ka mahnitur botën që nga vitet 1960, kohë kur u përmend për herë të parë ky term në revistën “Argosy”. Por historia e zhdukjeve të çuditshme dhe dukurive të tjera të çuditshme është shumë më e vjetër.
Në fakt, edhe Kristofor Kolombi raportoi disa dukuri shqetësuese kur po kalonte përmes Trekëndëshit të Bermudës gjatë rrugës për në Amerikë. Po çfarë është Trekëndëshi i Bermudës? A është i vërtetë ai, dhe nëse po, a është i rrezikshëm?
Vinsent Gadis, që shpiku termin në artikullin e tij “Trekëndëshi vdekjeprurës i Bermudës” në shkurt 1964, dha edhe përkufizimin e parë për të. Gadis shpjegoi se vetë trekëndëshi është formuar midis pikave në Bermuda, Florida dhe San Huan të Puerto Rikos – një zonë me një sipërfaqe rreth 1.3 milionë km2 në Oqeanin Atlantik.
Por të tjerë e kanë përshkruar si shumë më të madh Trekëndëshin e Bermudës, ndoshta 3.9 milionë km2. “Kjo zonë nuk është aspak e izoluar. Brigjet e Floridës dhe Karolinës së Veriut dhe asaj të Jugut janë të populluara, ashtu si dhe ishujt përreth”- shkroi Gadis në artikullin e 59 viteve më parë.
Distancat janë relativisht të shkurtra. Ditë e natë ka trafik në rrugë detare dhe ajrore. Ujërat patrullohen mirë nga Roja Bregdetare, Marina dhe Forcat Ajrore të SHBA-së. E megjithatë kjo zonë relativisht e kufizuar është skena e zhdukjeve të shumë anijeve dhe avionëve. Gadis shtoi:”Trekëndëshi i Bermudës, nënvizon faktin se pavarësisht krahëve të shpejtë të avionëve dhe radios, ne kemi ende një botë mjaft të madhe ku njerëzit, makinat dhe anijet e tyre mund të zhduken pa asnjë gjurmë”.
Në fakt, brenda kësaj hapësire janë zhdukur më shumë se 50 anije dhe 20 avionë, shumë prej tyre në rrethana vërtet të çuditshme. Për këtë arsye, Trekëndëshi i Bermudës, njihet edhe si Trekëndëshi i Djallit. Nga të gjitha anijet që janë zhdukur në këtë zonë, spikat historia e anijes e “USS Cyclops”, që u zhduk në vitin 1918.
Ajo po udhëtonte midis Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara me një ngarkesë prej 10.800 ton mineral mangani dhe rreth 300 pasagjerë së bashku me ekuipazhin. Në marsin e vitit 1918, ajo u zhduk në mënyrë të pashpjegueshme, pa dërguar asnjë mesazh ku të shprehte ndonjë shqetësim, dhe pa iu përgjigjur ndonjë prej mesazheve radiofonike nga anijet aty pranë.
“Moti në zonën ku ishte planifikuar të kalonte USS Cyclops…nuk ishte aq i keq sa të mendoje se anija u zhduk për shkak të një stuhie. Por edhe nëse do të ishte përfshirë befas nga një e tillë, përmes radios mund të jepej alarmi, gjithnjë nëse antena nuk ishte rrëzuar papritmas”- raportoi The Neë York Times.
Deri më sot, askush nuk e di saktësisht se çfarë ndodhi me anijen “SS Cyclops”. Disa kanë sugjeruar se ajo u shkatërrua nga një sulm i nëndetëseve gjerman, se u fundos nga një oktapod gjigant, apo se u zhduk nën ujë gjatë një rebelimi të dështuar kundër kapitenit të anijes.
Por deri më sot nuk janë gjetur rrënojat e anijes. Por në këtë zone nuk janë zhdukur vetëm anijet. Në dhjetorin e vitit 1945, 5 avionë të Marinës së SHBA fluturuan nga Fort Lauderdale në Trekëndëshin e Bermudës për një mision trajnimi të njohur si “Fluturimi 19”. Ata u zhdukën menjëherë.
Po ashtu u zhduk edhe një nga avionët e shpëtimit që u dërguar për t’i kërkuar. Të hutuar zyrtarët e Marinës raportuan se ishte “sikur pilotët të kishin fluturuar për në Mars”. Në një rast shumë misterioz, anija “Caroll A.Deering” u gjet në brigjet e Karolinës së Veriut në vitin 1921, pa asnjë njeri në bord.
Sipas dëshmive, në bord u gjet një vakt ushqimor gati për t’u konsumuar. Por një nga zhdukjet më të çuditshme në Trekëndëshin e Bermudës ndodhi në vitin 1969, kur dy roje në farin “Great Isaac Lighthouse” në Bahamas u zhdukën papritmas pa asnjë gjurmë.
Ndonëse disa ia atribuojnë zhdukjen e tyre një stuhie që kaloi nëpër zonë, të tjerë përgjegjëse janë forcat mistike që fshihen atje. Me kalimin e viteve, janë paraqitur shumë teori për të shpjeguar arsyen pse kaq shumë anije dhe avionë – madje edhe roje faresh – janë zhdukur në këtë pjesë të Oqeanit Atlantik 500 vitet e fundit.
Sikurse e vë në dukje Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike (NOAA), shumica e stuhive tropikale dhe uraganeve në Oqeanin Atlantik kalojnë përmes Trekëndëshit të Bermudës, gjë që e bën atë një pjesë veçanërisht të pabesë të oqeanit për anijet (sidomos para parashikimit modern të motit).
Për më tepër, rryma e paqëndrueshme oqeanike “Gulf Stream”, mund të shkaktojë ndryshime të forta e të befta të kushteve të motit. Një teori tjetër flet për “dallgët mashtruese”, që arrijnë në mbi 30 metra lartësi, dhe që mund të kenë gllabëruar lehtësisht anije si “USS Cyclops”.
Po ashtu stuhitë në Trekëndëshin e Bermudës vijnë nga drejtime të shumta, gjë që i bën edhe më të mundshme dallgë të tilla. Ndërkohë një teori tjetër, sugjeron se shkaku i të gjitha zhdukjeve mund të gjendet shumë më thellë në oqean.
Neë York Times citoi disa kohë më parë disa shkencëtarë, që besojnë se prapa fenomenit të Trekëndëshit të Bermudës mund të qëndrojnë depozita të mëdha të gazit metan. Shpërthimet e gazit mund ta zhvendosin ujin, duke shkaktuar edhe fundosjen e anijeve.
Dhe për shkak se gazi është i ndezshëm, mund të përplaset me një aeroplan në ajër dhe të shkaktojë rrëzimin e tij. Të tjerë besojnë se alienët mund të kenë rrëmbyer marinarët dhe pilotët e zhdukur. Kjo teori thotë se alienët kanë përdorur Trekëndëshin e Bermudës si një lloj “portali” për në Tokë, dhe se ata i përdorin njerëzit dhe anijet e rrëmbyera për ta kuptuar më mirë njerëzimin.
Të tjerë akoma, supozojnë se shkaku mund të jetë një përbindësh deti. Por teoria ndoshta më e çuditshme është se qyteti i humbur i Atlantidës mund të ketë një lidhje direkte me Trekëndëshin e Bermudës. Kjo teori sugjeron se qyteti i mbytur përdor “energjinë kristalore” për të fundosur anijet dhe rrëzuar avionët.
Megjithatë, ekspertët e kanë hedhur poshtë këtë ide, duke e cilësuar absurde. Shumë nga anijet e zhdukura në Trekëndëshin e Bermudës mund të kenë rënë viktimë e stuhive, të cilat ndodhin shpesh në zonë. Sipas NOAA, nuk ka asgjë të mbinatyrshme në lidhje me Trekëndëshin e Bermudës.
Madje sipas saj Trekëndëshi i Bermudës nuk ekziston zyrtarisht. “Nuk ka harta zyrtare që të përcaktojnë kufijtë e Trekëndëshit të Bermudës. Bordi i Emrave Gjeografikë të SHBA-së nuk e njeh Trekëndëshin e Bermudës si emër zyrtar dhe nuk mban një dosje zyrtare për zonën”-thekson Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike në SHBA.
Për më tepër, janë zgjidhur tashmë misteret e disa anijeve që thuhet se janë zhdukur në zonë, si rasti i “SS Cotopaxi”. Reliket e kësaj të fundit u gjetën gati një shekull pasi u zhduk në mënyrë misterioze, por jashtë Trekëndëshit të Bermudës. Ekspertët thonë se anija u mbyt gjatë një stuhie.
Dhe në atë tragjedi nuk pati gisht asnjë përbindësh deti apo alien. Atëherë, çfarë është Trekëndëshi i Bermudës? Tek e fundit, duket se nuk është asgjë më shumë se sa një hapësirë e gjerë oqeanike, jo më e pabesë se sa çdo zonë tjetër. “Oqeani ka qenë gjithmonë një vend misterioz për njerëzit, dhe kur në lojë përfshihet moti i keq apo lundrimi i dobët, ai mund të jetë një vend shumë vdekjeprurës.
Nuk ka asnjë provë që zhdukjet misterioze po ndodhin me ndonjë frekuencë më të madhe në Trekëndëshin e Bermudës, sesa në çdo zonë tjetër të madhe dhe të udhëtuar mirë të oqeanit”- thekson NOAA.