Çfarë duhet bërë për ta ndalur luftën e Vladimir Putin në Ukrainë?

Vladimir Putin mund të ketë reputacionin e një autokrati të pamëshirshëm, një manipulues i shkathët i skenës ndërkombëtare. Por një gjë që presidenti i Rusisë nuk e ka, është një “fytyrë lojtari pokeri”.

I ndjeri, senatori amerikan, John McCain, bënte shaka se, sa herë e shikonte Putinin në sy, shihte tri shkronja: “K, G dhe B”, një referencë për të kaluarën e tij si oficer i shërbimit sekret sovjetik, shkruan BBC.

“Këtë e pata parasysh teksa ndiqja pamjet e liderit rus, i ulur përballë të dërguarve amerikanë në Kremlin”, shkruan James Landale, korrespondenti i BBC.

Ai nuk arrinte t’i fshihte emocionet; rrezatonte vetëbesim absolut.

Putin-i beson se era diplomatike ka ndryshuar në favorin e tij, falë përmirësimit të marrëdhënieve me SHBA-të dhe përparimeve në fushëbetejë.

Disa analistë thonë se Putin-i nuk ka asnjë arsye të tërhiqet nga kërkesat e tij: që Ukraina të heqë dorë nga 20% e fundit e rajonit të Donetsk-ut që ende kontrollon; që të gjitha territoret e pushtuara të njihen ndërkombëtarisht si ruse; që ushtria ukrainase të kufizohet deri në pafuqishmëri dhe që anëtarësimi në NATO të përjashtohet përgjithmonë.

Në këto kushte, ka disa skenarë të mundshëm. I pari është që presidenti amerikan, Donald Trump, të përpiqet ta detyrojë Ukrainën të pranojë një armëpushim me kushte të papranueshme për popullin e saj, një marrëveshje që lëshon territor dhe nuk ofron garanci të mjaftueshme sigurie për të penguar agresionin e ardhshëm rus.

Nëse Ukraina refuzon ose Rusia vë veton, Trump ka lënë të kuptohet se mund t’i “lajë duart” nga lufta; javën e kaluar ai tha se “ndonjëherë duhet t’i lësh njerëzit të luftojnë mes tyre”.

Ai mund të ndërpresë gjithashtu inteligjencën jetike amerikane që Ukraina përdor për të zbuluar dronët rusë dhe për të goditur objektivat energjetike të Rusisë.

Një tjetër mundësi është që lufta thjesht të vazhdojë, me forcat ruse që avancojnë ngadalë në lindje.

Strategjia e re e sigurisë kombëtare e administratës Trump sugjeron se Rusia nuk është më një “kërcënim ekzistencial” për SHBA-të dhe bën thirrje për “rivendosjen e stabilitetit strategjik” me Moskën.

Pra, me mbështetjen amerikane për Ukrainën seriozisht në pikëpyetje, çfarë, nëse ka diçka, mund ta ndryshojë mendjen e Putin-it? Dhe çfarë tjetër mund të bëjnë ndryshe Ukraina, Evropa apo edhe Kina?

A mund të bëjë më shumë Evropa?

Aktualisht, kontinenti po përgatitet për një armëpushim. Nën ombrellën e “koalicionit të të gatshmëve”, po përgatitet një forcë ushtarake ndërkombëtare për të ndihmuar Ukrainën të pengojë një pushtim të ardhshëm rus, krahas një përpjekjeje financiare për rindërtimin e vendit të shkatërruar nga lufta.

Por disa zyrtarë sugjerojnë se Evropa duhet të përgatitet për një luftë që mund të zgjasë.

Ata duan ta ndihmojnë Ukrainën jo vetëm të “fitojë betejën e sotme”, me më shumë dronë dhe fonde, por edhe të ofrojnë mbështetje afatgjatë dhe të përgatiten për një konflikt 15–20-vjeçar me Rusinë.

Evropa mund të bëjë më shumë edhe për të mbrojtur hapësirën ajrore të Ukrainës nga dronët dhe raketat. Ekziston tashmë një plan, i quajtur Iniciativa Evropiane e Mburojës Ajrore, që mund të zgjerohet për të lejuar mbrojtjen ajrore evropiane të mbulojë Ukrainën perëndimore.

Të tjerë argumentojnë se trupa evropiane mund të dislokohen në Ukrainën perëndimore për të patrulluar kufijtë, duke liruar ushtarë ukrainas për frontin. Shumica e propozimeve të tilla janë refuzuar nga frika e provokimit të Rusisë ose përshkallëzimit të konfliktit.

Keir Giles, bashkëpunëtor i lartë në programin për Rusinë dhe Euroazinë në think tank-un Chatham House, thotë se këto frikëra janë “nonsens”, pasi trupa perëndimore tashmë ndodhen në terren dhe Mburoja Ajrore mund të vendoset në Ukrainën perëndimore me pak gjasa për përplasje me avionët rusë.

Sipas tij, udhëheqësit evropianë duhet “të përfshihen në konflikt në një mënyrë që realisht bën diferencë”.

“E vetmja gjë që do ta ndalojë pa asnjë dyshim agresionin rus”, tha Giles, “është prania e forcave perëndimore mjaftueshëm të forta atje ku Rusia dëshiron të sulmojë dhe vullneti i demonstruar për t’i përdorur ato për mbrojtje”.

Kjo strategji, natyrisht, do të kishte kosto të mëdha politike, me disa votues në Evropën Perëndimore që nuk janë të gatshëm të rrezikojnë një përballje me Rusinë.

Pak analistë presin që Ukraina ta kthejë rrjedhën e luftës dhe të fitojë territore të reja.

“Pas disa javësh të kaluara së fundmi në Ukrainë, nuk dëgjova askënd të fliste për një ofensivë pranverore, por vetëm për nevojën për të ngadalësuar avancimin rus dhe për të rritur çmimin që Moska paguan në gjak dhe pasuri”, tha Landale.

Disa diplomatë perëndimorë pretendojnë se gjeneralët rusë po e gënjejnë presidentin, duke e paraqitur situatën në terren më të mirë nga ç’është, pjesë e një strategjie për të ekzagjeruar fitimet ruse dhe për të krijuar përshtypjen se Ukraina është në disavantazh dhe duhet të kërkojë paqe.

Sipas Thomas Graham në Foreign Affairs, këtë vit Rusia ka pushtuar vetëm 1% të territorit ukrainas, me një kosto prej mbi 200 mijë të vrarë dhe të plagosur.

Fiona Hill, bashkëpunëtore e lartë në Brookings Institution dhe ish-anëtare e këshillit të sigurisë kombëtare të Trumpit, thotë se avantazhi më i madh i Putin-it është bindja se Ukraina po humbet.

“Të gjithë flasin për Ukrainën si humbëse, kur ajo tani ka ushtrinë më të fuqishme në Evropë”, thotë ajo.
“Vetëm mendoni çfarë i ka bërë Rusisë. Është e jashtëzakonshme që ka rezistuar kaq gjatë, duke luftuar me një dorë të lidhur pas shpine”.

Tregtia, sanksionet dhe ekonomia ruse

Një tjetër mjet janë sanksionet. Pa dyshim, ekonomia ruse po vuan: inflacioni rreth 8%, normat e interesit 16%, rritja ekonomike është ngadalësuar, deficitet buxhetore po rriten, të ardhurat reale po bien dhe taksat për konsumatorët po rriten.

Një raport i Platformës së Provave për Paqen dhe Zgjidhjen e Konflikteve thotë se ekonomia e luftës e Rusisë po i mbaron koha. “Ekonomia ruse është dukshëm më pak e aftë të financojë luftën sesa ishte në fillim të vitit 2022,” thuhet në raport.

Por deri tani, asgjë nga kjo nuk duket se ka ndryshuar ndjeshëm mendimin e Kremlinit, sidomos pasi bizneset kanë gjetur mënyra për të shmangur kufizimet, përfshirë transportin e naftës me anije fantazmë të paregjistruara.

Tom Keatinge, drejtor i Qendrës për Financë dhe Siguri në Rusi, thotë se mesazhi perëndimor mbi sanksionet është i paqartë dhe ka shumë boshllëqe.

Sipas tij, Rusia do t’i anashkalojë sanksionet e reja amerikane ndaj Lukoil dhe Rosneft, thjesht duke e riemërtuar naftën e eksportuar si prodhim të kompanive jo të sanksionuara.

“Nëse Perëndimi do vërtet ta dëmtojë ekonominë e luftës së Rusisë, duhet të vendosë embargo të plotë ndaj naftës ruse dhe të zbatojë plotësisht sanksione dytësore ndaj vendeve që ende e blejnë,” tha ai.
“Duhet të ndalojmë së qeni ‘të zgjuar’ dhe të shkojmë drejt embargos totale.”

Në teori, sanksionet mund të ndikojnë edhe në opinionin publik rus. Në tetor, një sondazh i qendrës shtetërore VCIOM tregoi se 56% e të anketuarve ndiheshin “shumë të lodhur” nga konflikti, nga 47% një vit më parë.

Por konsensusi mes ekspertëve për Rusinë është se një pjesë e madhe e publikut mbetet mbështetëse e strategjisë së Putinit.

Bashkimi Evropian mund të bjerë dakord të përdorë rreth 200 miliardë euro asete ruse të ngrira për të krijuar një “kredi riparimi” për Ukrainën. Propozimi i fundit i Komisionit Evropian synon të mbledhë 90 miliardë euro për dy vjet.

Në Kiev, zyrtarët tashmë po llogarisin në këto fonde. Por BE-ja ende heziton.

Belgjika, ku mbahen shumica e aseteve ruse, ka frikë prej kohësh nga paditë e Rusisë dhe të premten Banka Qendrore e Rusisë njoftoi se ka nisur veprime ligjore kundër bankës belge Euroclear në një gjykatë në Moskë.

Belgjika thotë se nuk do ta pranojë kredinë nëse rreziqet ligjore dhe financiare nuk ndahen qartë me vendet e tjera anëtare. Franca ka gjithashtu shqetësime, për shkak të borxhit të saj të lartë dhe frikës se përdorimi i aseteve të ngrira mund të minojë stabilitetin e eurozonës.

Udhëheqësit e BE-së do të përpiqen sërish të arrijnë një marrëveshje në samitin e 18 dhjetorit në Bruksel, por diplomatët thonë se suksesi nuk është i garantuar.

Çështja e mobilizimit në Ukrainë

Sa i përket Ukrainës, ajo mund të mobilizojë më shumë forca.

Ajo mbetet ushtria e dytë më e madhe në Evropë (pas Rusisë) dhe më e avancuara teknologjikisht, por gjithsesi po has vështirësi në mbrojtjen e një vije fronti prej rreth 1 300 kilometrash.

Pas gati katër vitesh luftë, shumë ushtarë janë të rraskapitur dhe dezertimet po rriten.

Rekrutuesit po e kanë më të vështirë të mbushin boshllëqet, pasi disa të rinj fshihen ose largohen nga vendi. Ukraina mund t’i zgjerojë ligjet e mobilizimit.

Aktualisht, vetëm burrat nga 25 deri në 60 vjeç janë të detyruar të jenë në dispozicion për luftë. Kjo është një strategji e qëllimshme për të menaxhuar sfidat demografike të vendit, i cili ka lindshmëri të ulët dhe miliona qytetarë jashtë vendit.

Kjo i çudit të huajt. “E gjej të pabesueshme që Ukraina nuk ka mobilizuar të rinjtë e saj,” tha një figurë e lartë ushtarake britanike.

“Mendoj se Ukraina është një nga të paktat vende në histori që përballet me një kërcënim ekzistencial dhe nuk i ka hedhur 20-vjeçarët e saj të çmendur në luftë.”

Fiona Hill thotë se Ukraina thjesht ka nxjerrë mësim nga historia dhe nga ndikimi shkatërrues që Lufta e Parë Botërore pati mbi perandoritë evropiane të shekullit XX.

“Ukraina po mendon për të ardhmen e saj demografike.”

Goditjet, diplomacia dhe Trump

Nëse Ukraina do të mund të importonte dhe prodhonte më shumë raketa me rreze të gjatë, ajo do të mund ta godiste Rusinë më fort dhe më thellë.

Këtë vit, ajo ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj objektivave si në territoret e pushtuara, ashtu edhe brenda Federatës Ruse. Së fundmi, komandantë ushtarakë ukrainas i thanë Radio Liberty se gjatë vjeshtës kishin goditur më shumë se 50 objekte energjetike dhe industriale ushtarake në Rusi.

Alexander Gabuev, drejtor i Qendrës Carnegie për Rusinë dhe Euroazinë, thotë se disa rusë përjetuan mungesa karburanti këtë vit.

“Deri në fund të tetorit, dronët ukrainas kishin goditur të paktën një herë më shumë se gjysmën e 38 rafinerive kryesore të Rusisë”.

Por a do të kishin ndikim goditje më të thella, kur Kremlini dhe opinioni publik rus duken indiferentë?

Mick Ryan, ish-gjeneral major australian, thotë se goditjet e thella nuk janë një zgjidhje magjike.

“Ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme ushtarakisht, por të pamjaftueshme për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e negociatave”.

Ekziston ende edhe rruga diplomatike.

Disa analistë argumentojnë se nëse Putinit i ofrohet një dalje nga lufta, ai mund ta pranojë.

Ideja është një marrëveshje që u lejon të dyja palëve të pretendojnë fitore: një armëpushim përgjatë vijës së kontaktit; disa zona të demilitarizuara; pa njohje formale territoriale.

Por kjo do të kërkonte angazhim të fortë amerikan me Rusinë.

Sipas Thomas Graham, “Shtetet e Bashkuara duhet të përdorin levën e tyre psikologjike të fuqishme ndaj Rusisë”.

“Nuk mund të nënvlerësohet roli që SHBA-të – dhe Trump personalisht – luajnë në legjitimimin e Rusisë si fuqi e madhe dhe të Putinit si lider global.”

Leva e Kinës

Xholi i paparashikueshëm është Kina. Presidenti Xi Jinping është një nga pak liderët botërorë që Putin-i i dëgjon. Kur Xi paralajmëroi kundër përdorimit të armëve bërthamore nga Rusia, Kremlini u tërhoq menjëherë.

Makineria e luftës ruse varet gjithashtu shumë nga furnizimet kineze me mallra me përdorim të dyfishtë.

Nëse Pekini do të vendoste se vazhdimi i luftës nuk është më në interes të Kinës, do të kishte ndikim të madh mbi Moskën.

Për momentin, SHBA-të nuk po përpiqen ta shtyjnë Kinën të ushtrojë presion mbi Rusinë. Pyetja është nëse Xi do ta bëjë këtë me iniciativë të vetën.

Aktualisht, Kina duket e kënaqur që SHBA-të të jenë të shpërqendruara, aleatët transatlantikë të jenë të përçarë dhe bota ta shohë Kinën si një faktor stabiliteti.

Por nëse pushtimi rus përshkallëzohet, nëse tregjet globale tronditen, ose nëse SHBA-të vendosin sanksione dytësore ndaj Kinës për blerjen e energjisë ruse, llogaritjet në Pekin mund të ndryshojnë.

Për momentin, Putin-i beson se është në pozicion të favorshëm dhe se koha punon për të.

“Ose ne i çlirojmë këto territore me forcën e armëve, ose trupat ukrainase largohen prej tyre,” tha ai javën e kaluar.

“Asgjë nuk do t’ia ndryshojë qëndrimin,” më tha Fiona Hill. “Përveçse nëse largohet nga skena. Putini po vë bast se mund ta mbajë këtë luftë mjaftueshëm gjatë, derisa rrethanat të luajnë në favorin e tij.”